Kurti: Targa ‘KS’ nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më, refuzuam prodhimin e targave neutrale

24 gusht 2022 | 12:29

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për dy masat e reciprocitetit që pritet të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori, konkretisht për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.

Kurti pas takimit të Brukselit ka thënë se pala serbe nuk ka pasur as angazhim konstruktiv e as propozime konkrete lidhur me dialogun.

Gjithashtu, ai ka thënë se çështja e dokumentit të hyrje-daljeve nënkupton se personat që paraqesin dokument të Kosovës preferojnë të identifikohen e trajtohen si qytetarë të Kosovës, ata që paraqesin dokumente të Serbisë, preferojnë dhe kërkojnë të trajtohen si të tillë, prandaj, lëshimi i dokumentit nuk është i lidhur as me privilegje e as me diskriminim.

“Në Bruksel nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete, në rastin më të mirë mund të thuhet se ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshjeve kushtetuese. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në etni apo gjini, por në vendin e qëndrimit. Si e tillë ajo nuk bën dallim mes qytetarëve në veri apo në jug të Kosovës, është qytetari se si vendos të trajtohet, nëse një qytetar në vendkalimet kufitare prezanton letërnjoftim të Kosovës, ai kërkon të trajtohet si qytetar i Kosovës, nëse prezanton letërnjoftim nga Serbia ai preferon të trajtohet si qytetar i Serbisë, rrjedhimisht preferon të pajiset me dokumentin për hyrje-dalje. Lëshimi apo jo i dokumentit për hyrje-dalje nuk është i lidhur me asnjë privilegj apo diskriminim në të drejta apo obligime, rrjedhimisht nuk mund të marrë epitetin e dokumentit diskriminues”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti është shprehur se lëshimi i dokumenteve të hyrje-daljeve nuk kërkon dokumente shtesë, dhe nuk mund të prodhojë konfuzion e pengesa. Sipas tij, ajo është një fletë “A4” që lëshohet për 20 sekonda dhe s’ka të bëjë as me konfiskim e as me pengesa të lëvizjes.

“Në lëshimin e dokumentit hyrje-dalje nuk kërkohen dokumente shtesë nga pala, prandaj as nuk mund të prodhojë konfuzion e as pengesa në lëvizje. Për më tepër lëshohet vetëm për 20 sekonda falë teknologjisë së avancuar të leximit të dhënave. Nuk shoqërohet me pagesa të ryshfetit siç ndodh me qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në apo përmes territorit të Serbisë. Është një fletë ‘A4’, pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre siç po manipulohet artificialisht paskrupullt opinioni publik te qytetarët në Kosovë ose Serbi. Ne nuk iu marrim të gjithë qytetarëve, ne iu japim atyre një fletë ‘A4’, s’bëhet fjalë për kurrfarë konfiskimi, bëhet fjalë për pajisje legjitime me një dokument legjitim në kuadër të marrëdhënieve fqinjësore”, ka thënë Kurti.

Sa i përket çështjes së targave, Kurti është shprehur se dritarja për konvertimin e tyre është rihapur si pasojë e vullnetit të mirë të qeverisë së Kosovës dhe me këtë mundësi, qytetarët me targa ilegale “KS” po kursehen nga shpenzimet doganore, të akcizës dhe TVSh-së që mund t’i kushtojnë rreth 5000 euro.

Kurti madje ka pohuar se me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2016, Vuçiqi e ka pranuar se targat “KS” janë ilegale dhe e ka ditur që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme dhe gjithashtu ka pranuar se pajisja me targa as në vitet 2017 e 2018 e as pas shtatorit 2021 nuk ka pasur asnjë incident të vetëm.

“Sa i përket dritares së regjistrim të veturave me targa ilegale në ato legale. Kjo dritare është mbyllur me 15 janar 2018 dhe hapja e saj nga ana e qeverisë tonë është vetëm indikator i vullnetit të mirë, sidomos që kjo dritare e re është e shoqëruar me një varg masash nxitëse për qytetarët e targetuar. Ju e dini shumë mirë që me rastin e konvertimit të këtyre targave ata janë të kursyer nga pagesa e taksës doganore, akcizës dhe TVSh-së që mund të shkojë rreth 5 000 euro për veturë. Ky është motivim financiar për një gjë krejtësisht legale e legjitime. Në marrëveshjen e vitit 2016, vet presidenti i Serbisë si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale. Si dhe ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme, vetëm deri në shtator të vitit 2021. Ata që i kanë konvertuar veturat e tyre gjatë periudhës janar 2017-janar 2018, po ashtu e kanë ditur këtë dhe rrjedhimisht që nga shtatori i vitit 2021 i kanë konvertuar targat e tyre nga ‘KS’ në ‘RKS’ pa asnjë incident të vetëm”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka thënë se as lëshimi i afër 3 000 dokumenteve hyrje-dalje për 19 orë të së hënës së 1 gushtit nuk ka prodhuar asnjë incident apo ankesë dhe përfundimisht ka thënë se targat “KS” nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen në qarkullim.

Ai ka përmendur gjithashtu një propozim për prodhimin e targave neutrale, por ka thënë se kjo nuk mund të ndodh pasi Kosova është shtet sovran.

“Edhe tek konvertimi i targave edhe tek lëshimi i atyre 2679 dokumenteve hyrje-dalje për 19 orëve të së hënës së 1 gushtit nuk kemi asnjë incident dhe asnjë ankesë. Targat ‘KS’ nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie dhe këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vet statusit të saj. Se njëri prej opisoneve ka qenë të prodhojmë targa neutrale”, ka thënë Kurti, duke shtuar se masat e reciprocitetit pritet të hyjnë në fuqi nga data e 1 shtatorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti për Studime të Avancuara ( GAP) ka njoftuar se…