
Kurti të japë dorëheqje, ne nuk i bëjmë favor me shpërndarje të Kuvendit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqqeverisje në ekonomi dhe sektorë të tjerë, për çka thotë se kryeministri duhet të jap dorëheqje pas dështimeve të njëpasnjëshme.
Kështu deklaron deputetja Bajrami në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se gjatë qeverisjes së qeverisë Kurti, ekonomia ka degraduar tej mase. Ajo fajëson partinë në pushtet për mungesën e investimeve të huaja direkte.
Bajrami si dështime të tjera përmend rritjen e inflacionit, ikjen masive të qytetarëve nga vendi, sanksionet e BE-së e të tjera.
Gjatë intervistës, Bajrami flet edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, për çka shprehet e bindur se do dalin të parët në këtë proces zgjedhor.
“Lista e dështimeve është shumë e gjatë, qeveria Kurti dhe zotëri Kurti me qeverisjen e tij të shumicës nuk ka arritur të përmbushë as edhe një premtim në bazë të të cilave ai ka ardhur në qeverisje. Ekonomia ka degraduar tej mase. Ne kemi pasur një inflacion galopant përderisa nuk kemi pasur indeksim të pagave dhe të pensioneve, nuk po flas për rritje por të paktën indeksim konform normes së inflacionit. Investimet kapitale kanë qenë më të ulëta ndonjëherë në 10 vjeçarin e fundit.
Gjithashtu, nuk kemi pasur investime të huaja të direkte. Të gjitha investimet janë në patundshmëri dhe asgjë tjetër. Nuk kemi pasur një vend punishte e cila hapur gjatë kësaj kohe. Ikja masive të qytetarëve…Nuk janë ndërtuar çerdhet, nuk janë ndërtuar asnjë nga rrugët magjistrale të cilat i kanë gjetur në gjysmë, nuk janë ndërtuar shtëpitë e pleqve dhe nuk kemi parë as edhe një projekt infrastrukturor që do të ishte si shenjë, si trashëgimi e kësaj qeverie”, thotë Bajrami.