Kurti viziton Ipeshkvinë e Kosovës, diskutohet për Ligjin për liritë fetare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Ipeshkvinë e Kosovës, ku u mirëprit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji.
Në takim ata folën për Ligjin për Liritë Fetare, për bashkëpunimin e ndërsjellë, për kontributin e Kishës Katolike për paqe midis njerëzve dhe bashkim të njerëzve, dhe për nevojën e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike në Kosovë.
Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi udhëheqësit e Ipeshkvisë së Kosovës për bashkëpunimin e afërt, kontributin e vazhdueshëm, dhe rolin e rëndësishëm të tyre.
Ata gjithashtu biseduan edhe për vizitën e fundit që kryeministri Kurti zhvilloi në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Paroli.
Kryeministri ndau me Ipeshkvin, imzot Dodë Gjergji dhe Don Lush Gjergji mbresat e tij nga vizita në Vatikan dhe nga takimi me shenjtërinë e tij, Papa Françesku.
Më 22 qershor, kryeministri Kurti kishte realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Vatikan.
Në takimin me shenjtërinë e tij, Papa Françeskun, kryeministri Kurti kishte biseduar për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë, si dhe e kishte ftuar atë që ta vizitojë Kosovën.