Kurz: Austria mbështet çdo marrëveshje Kosovë- Serbi, edhe korrigjimin e kufijve

16 shtator 2019 | 15:16

Austria do ta mbështesë çdo zgjidhje me të cilën pajtohen në dialog Serbia dhe Kosova, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, ka thënë kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Ai për “Tanjug” ka folur për ndikimin e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, emërimin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, rrugëtimin evropian të Serbisë dhe tema të tjera.

“Qëndrimi ynë është i qartë, mbështesim çka do që palët merren vesh, edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse në fund kjo parasheh një zgjidhje të përbashkët e cila mund të sjellë stabilitet. Caku duhet të jetë që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëveshje”, u shpreh Kurz.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë përsëri në mënyrë që të gjitha temat e hapura të zgjidhen në tavolinën e bisedimeve.

“Është e nevojshme një dinamikë e rë sepse zgjidhja e ardhur nga dialogu është parakusht për pjesëmarrjen e ardhshme të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Në pyetjen nëse BE-ja ka fuqi për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe nëse kanë ndikim mbi Prishtinën, që nuk ka reaguar ndaj thirrjeve nga Brukseli për heqjen e taksës, Kurz ka thënë se BE-ja ka mundësi të ndryshme të reagimit dhe se ato i shfrytëzon vazhdimisht. Por, ai e sheh të “nevojshme që Beogradi dhe Prishtina të krijojnë një dëshirë të mjaftueshme për kompromis”, transmeton lajmi.net.

Kurz ka mirëpritur emërimin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, duke shprehur shpresën se ai do të jetë në gjendje të ndihmojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bashkëpunim me BE-në.

“Gjatë vizitës time në Shtëpinë e Bardhë, kam biseduar për përpjekjet tona të përbashkëta me presidentin Donald Trump. SHBA tashmë një kohë të gjatë janë të angazhuara së bashku me BE-në, që është shumë e rëndësishme”, theksoi Kurz, duke shtuar se shpreson se ai do të jetë në gjendje të ndihmojë arritjen e marrëveshjes.

Ai është shprehur i sigurt se BE-ja do të bashkëpunojë ngushtë me të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë mesjavë nis sezoni i ri i Ligës së Kampioneve…