Kusari: VV-ja po tenton kapjen absolute të RTK-së, po kërkon përjashtimin e 200-300 punëtorëve nga puna

27 mars 2024 | 10:51

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka treguar skenaret që po diskutohen në mbledhjen e Bordit të RTK-së. Aty ku pritet të diskutohet raporti vjetor i punës së Drejtorit të Përgjithshëm.

Kusari ka bërë të ditur se plani i Vetëvendosjes është që ky raport të mos votohet, dhe të iniciohet shkarkimi i Shkumbin Ahmetxhekajt.

Sipas Kusarit, VV-ja po deklaron se reforma në RTK nuk ka shkuar mirë, duke kërkuar përjashtimin nga puna të 200-300 personave, për t’i punësuar njerëzit e afërt.

Sipas saj, edhe drejtor mund të bëhet dikush që publikisht është adhurues i Kurtit pa ndërhyrje.

Postimi:

A do të vazhdojë kapja e RTK-së nga VV-ja?

Në mbledhjen e sotit, bordi i RTK-së ka përpara disa mundësi:

1) Të zbatojë me përpikmëri urdhërin e prerë të njerëzve të Vetëvendosjes që mos ta aprovojnë raportin e menaxhmentit të RTK-së, për t’i hapur rrugë vazhdimit të kapjes politike të RTK-së.

2) Të veprojë i pavarur dhe të aprovojë raportin, i cili reflekton punën që vetë bordi e ka bë në RTK gjatë tërë vitit të kaluar.

3) Ta shtyjë aprovimin e raportit në përpjekje për të kamufluar ndikimin politik në bord.

Ideja e VV-së, e dizajnuar që nga nëntori i vitit të kaluar është kjo:

Bordi nuk e aprovon raportin vjetor të menaxhmentit dhe publikisht thotë reformat nuk kanë shku mirë prandaj na duhen njerëz të ri

Mos aprovimi pastaj përdoret si bazë për shkarkim, shih nenin përkatës më poshtë

Vendoset një u.d i drejtorit që është komplet VV dhe adhurues i flaktë i kryeministrit

Përfundon kapja e RTK-së – e filluar me drejtorin e televizionit – pikërisht disa muaj para zgjedhjeve.

Arsyetimi i VV-së dhe disave në bord është që ka dështu reforma në RTK. Reforma që po e kërkon VV-ja është me i largu edhe 200-300 punëtorë nën arsyetimin se nuk po punojnë por arsyeja e vërtetë është se i shohin si të partive tjera dhe duan ta mbushin RTK-në me njerëz të VV-së.

Nuk bën me largu njerëz nga RTK. Nuk citen në rrugë njerëzit që ia kanë kushtu RTK-së 2-3 dekada të jetës së tyre.

Bordi është trupi përgjegjës për reformë dhe nëse ata konsiderojnë që reforma ka dështuar duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Pa vonesë.

Për çdo muaj anëtarët e bordit kanë pranuar raporte nga menaxhmenti të cilat raporte janë pranuar prandaj me thënë pas 12 muajsh nuk po e pranojmë përmbledhjen e 12 raporteve që ata vetë i kanë pranuar, është keqpërdorim i pozitës publike që e mbajnë dhe gjunjëzim para VV-së.

Bordi, në vend të zbatimit të urdhërave politikë duhet të fokusohet në:

a) T’ia sigurojë RTK-së 16 milionë euro në mënyrë që gazetarët dhe profesionistët e tjerë aty të kenë mundësi të shkëlqejnë në punën e tyre

b) T’ia sigurojë pronën RTK-së

Shpresoj që do të monitorohet kjo mbledhje dhe të shohim kush si voton sepse kështu e dimë kush po i gjunjëzohet VV-së.

Neni përkatës nga Ligji i RTK-së

Neni 7.3. Drejtori i Përgjithshëm, një herë në vit, do të hartojë një raport mbi ofrimin e përmbajtjes kulturore, artistike, informative, dokumentare apo edukative/arsimore të cilin pastaj do t’ia paraqes Bordit të RTK-së për miratim. Nëse Bordi i RTK-së nuk e miraton ose aprovon raportin, ai do të fillojë procedurën e shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afërdita Rexhepi shpallë të pa vlefshme dëftesen e Shkollës Fillore…