Kush është Yahya Sinwar, ‘orkestruesi kryesor i sulmit të 7 tetorit’ dhe njeriu më i kërkuar nga Izraeli?

09 nëntor 2023 | 00:08

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit pretenduan mbrëmë se lideri i Hamasit, Yahya Sinwar ishte “i rrethuar dhe i izoluar në bunkerin e tij”.

I konsideruar si orkestruesi kryesor i “masakrës së 7 tetorit”, Sinwar është njeriu më i kërkuar i Izraelit në sulmin e tij ndaj Gazës.

Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, 61-vjeçari ndihmoi në krijimin e krahut ushtarak të Hamasit, Brigadat Qassam, por u bë i njohur si “kasapi i Khan Younis” për angazhimin e tij në kërkimin dhe gjetjen e spiunëve izraelitë dhe palestinezëve të dyshuar për bashkëpunim.

Ai u dënua në vitin 1989 për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë dhe katër palestinezëve dhe u dënua me katër burgime të përjetshme, por i kreu 22 vjet përpara se të lirohej në vitin 2011 si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të burgosurish që pa një ushtar të kapur izraelit të shkëmbyer për më shumë se 1000 palestinezë.

Micha Kobi, një ish-oficer i inteligjencës me agjencinë izraelite të sigurisë Shin Bet, i cili mori në pyetje Sinwar në vitin 1989, tha për Financial Times se ai dikur mburrej se kishte detyruar një anëtar të Hamasit, vëllai i të cilit dyshohej se kishte informuar për një fraksion rival, “të varroste vëllain e tij të gjallë”.

Gjatë kohës së tij në burg, Sinwar iu përkushtua studimit të armikut të tij, mësimit të hebraishtes dhe leximit të veprave të sionistëve të hershëm, si dhe politikanëve izraelitë.

Pesëmbëdhjetë vjet pas dënimit të tij, ai dha një intervistë në hebraisht në TV izraelit në të cilën ai bëri thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.

Pasi u kthye në Gaza, Sinwar u ngrit shpejt brenda udhëheqjes së Hamasit dhe u emërua udhëheqës në vitin 2017.

Ai i mbijetoi një atentati pasi u rizgjodh në vitin 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i “Only Fans”, e cila e konsideron veten si…