Kush ishte Hamza Reka, babai i Blerim Rekës?

18 prill 2019 | 09:31

Profesor Hamza Reka (babai i Blerim Rekës) u lind në Tetovë, me 10 prill 1925, ku edhe kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërkaq gjatë tërë jetës nga mesi i shekullit të kaluar jetoi dhe veproi në Shkup.

Menjëherë pas Luftës së dytë botërore, si mësues dhe drejtor shkollash fillore udhëhoqi procesin e çrrënjosjes së analfabetizmit dhe ate të shkollimit të shqiptarëve në shumë vise të Maqedonisë.

Në vitin 1960, u diplomua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit në degën e Albanologjisë. Menjëherë pas diplomimit, së bashku me prof. Petro Janurën, ishin të vetmit profesorë shqiptarë në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku deri në pensionim, për rreth 30 vite ligjeroi sintaksën dhe morofologjinë e gjuhës shqipe, duke nxjerrë me dhjetra gjenerata arësimtarësh të gjuhës shqipe jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi.

Nga fusha e gramatikës së gjuhës shqipe botoi 6 tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe më shumë studime nga fusha e sintaksës së gjuhës shqipe.

Në vitin 1972, ishte edhe pjesmarrës i Kongresit të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe që ishte mbajtur në Tiranë, ku edhe ishin vendosur rregullat e gjuhës së sotme letrare shqipe.

Pos që u shqua në fushën akademike, për dy dekada ishte lektor i gjuhës shqipe në Dramën shqipe të Teatrit të Kombësive në Shkup (aktualisht Teatri Shqiptar – Shkup), ndërsa një mandat ishte edhe drejtor i përgjithshëm i këtij teatri.

Ishte bartës i shumë mirënjohjeve arësimore, kulturore dhe shkencore si dhe u përfshi në të gjitha leksikonet e veteranëve të arsimit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni.

(Tetova1)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elife Luzha: Aftësia për të komunikuar na bën të jemi …