KUSH PO UDHËHEQ POLITIKAT KOMBËTARE DHE QEVERITË KOMBËTARE?

10 janar 2018 | 12:05

Nga Jakup Krasniqi

Një ministër i Qeverisë së Shqipërisë, i Qeverisë që ka organizuar një sërë mbledhjesh të përbashkëta në mes dy qeverive tona, paska deklaruar: “Pas nesh qëndrojnë bizneset dhe bizneset na thonë: ‘prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua koncesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, më duhet mua politika, se më intereson më mirë të hyjë malli nga ky drejtim sesa nga ai drejtim’”.

Personalisht e kam të vështirë ta kuptoj se si është e mundur që bizneseve që u duhet hapja e tregjeve, zgjerimi i tyre, madje edhe përtej kufijve kombëtarë, të kërkojnë mbylljen në guacën krahinore?!

Tek ne, pra në Kosovë, është krejt ndryshe. Institucionet e shtetit bizneseve vendore ua qesin një mijë e një arsye për t’i penguar, për t’u lënë hapësirë bizneseve tregtare, edhe atyre që tregtojnë me Serbinë (ka të ngjarë edhe me Shqipërinë), kuptohet atyre bizneseve që janë të lidhura me nivelin e lartë të politikës, pra me oligarkinë politike e financiare.
A thua është duke ndodhur diçka e tillë edhe në Shqipëri?

Nëse është ajo që e thotë ish-kryeministri Majko, atëherë cila është arsyeja e politikës shqiptare: krijimi i një perspektive për një treg kombëtar pa kufi, apo mbyllja në geto provincash si në kohën para skënderbeiane? Sipas kësaj logjike, ne, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, duhet t’i hapim kufijtë me gjithë të tjerët në Ballkan e BE dhe përtej saj, vetëm se (o Zot i Madh!) jo në mes të Kosovës e Shqipërisë.

Kur bizneset e pengojnë politikën shtetërore për ta krijuar tregun e përbashkët kombëtar, me çka dhe si e pengojnë këtë, me fjalë apo me…? E kam vështirë ta kuptoj, përse bizneset prodhuese të Shqipërisë janë kundër një tregu prej pesë milionë banorësh dhe kërkojnë një treg tre apo dy milionë banorësh? Unë këtu nuk shoh logjikë ekonomike, por shoh logjikë politike e financiare të bëra bashkë. Politikat e tilla mbrojnë individët, por assesi kombin.

Nëse është kështu, kjo do të thotë se ne, shqiptarët, kemi probleme të mëdha morale, politike, intelektuale, arsimore, edukative, zhvillimore etj. Fundja, kush duhet të na shërojë këto sëmundje të këqija, këto sindroma apo parashenja ogurzeza, nëse jo politikat tona kombëtare e shtetërore, politika që drejtohen nga qeveritë tona që bëjnë mbledhje të përbashkëta në Vlorë, Prizren, Tiranë, Prishtinë, së fundi edhe në Korçë? Mbase, këto janë qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare, së paku që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Ndërsa çështja e portit të Shëngjinit po bëhet si vargu i këngës popullore: “Prit me muaj e pritë me vjet / Pushka e Lilit s’po kërset!”

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talenti i Shqipërisë U-21, Agim Zeka është transferuar në Portugali,…