Kush rri në Kosovë (s’)ia sheh hajrin liberalizimit të vizave

05 dhjetor 2023 | 15:55

Po afrojnë ditët kur banorët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian. Këtë e mundësoi votimi i BE-së për liberalizimin e vizave, që do startoj nga 1 janari i 2024. Aktualisht Kosova po përballet me një debat të thellë publik rreth mundësisë së një lëvizjeje masive të punonjësve dhe banorëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (ndonëse është e ndaluar mundësia e punësimit).

Duke marrë parasysh ekzistencën në publik mundësisë së “ilegalitetit” të ikjeve (pas liberalizmit), atëherë përballemi me pyetjen se si do të ndikojë ky zhvillim në tregun e punës në Kosovë dhe në shoqëri. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të hulumtojmë faktorët motivues të një personi në zgjedhjen e vendit të tij të jetës dhe punës.

Këtë përgjigje do ta gjejmë duke analizuar perspektivën e Hierarkisë së Nevojave të psikologut Abraham Maslow (1940). Ai paraqet një hierarki ose radhë të nevojave themelore që njerëzit kanë dhe të cilat ndikojnë në sjelljen dhe motivimin e tyre. Kjo hierarki është ndërtuar në formën e një piramide, me nevojat më elementare në bazë dhe ato më të sofistikuara ose më të larta në krye.

Maslow veçon “nevojat themelore të mbijetesës”, “nevojat për siguri”, “nevojat sociale”, “nevojat për vlerësim dhe vlerësime”, dhe “nevojat për vetë-realizim dhe zhvillim personal”.

Bazuar në këto parime, implementuar në realitetin kosovar, nevojat themelore si ushqimi, strehimi dhe siguria janë fuqizuese në vendimmarrjen e individëve për të shkuar drejt një destinacioni të ri për kushte më të mira të jetesës. Largimi i një numri të madh të punonjësve nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian shpesh lidhet me këto nevoja themelore të jetës. Dikush mund ta sheh këtë lëvizje si një rrugë për të siguruar kushte më të mira, veçanërisht në aspektin e sigurisë ekonomike dhe personale. E ndonjë preferon të qëndroj duke vlerësuar sigurinë dhe stabilitetin në ambientin të tyre aktual, si dhe lidhjet në komunitetin vendas.

Për nevojat për siguri, punonjës të caktuar e shohin tregun e Bashkimit Evropian si garanci të sigurisë, për shkak të stabilitetit ekonomik dhe shoqëror që ofrojnë. Kjo siguri e perceptuar ndikon në vendimmarrjen e tyre për të përfunduar në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërsa, për ata që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë, ndjehen të sigurt dhe të lidhur me ambientin dhe situatën e njohur në vend.

Kur bëhet fjalë për nevojat sociale dhe përkatësinë, largimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian sjell mundësi të reja për të ndërtuar lidhje sociale në një komunitet të ri. Kjo më shpesh është një motivim për punonjësit për të eksploruar mundësitë e tyre në një mjedis të ri. Ndërkaq, ata që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë, zakonisht mbështeten në rrjetin social dhe lidhjet e tyre ekzistuese në vend.

Për nevojat për vlerësim dhe respekt – shpesh shihet se puna në vendet e Bashkimit Evropian sjell një vlerësim më të lartë për kontributin e punonjësve. Kjo mundësi, për t’u vlerësuar më shumë, di të paraqitet si një stimul për t’u larguar. E “patriotët” që zgjedhin të qëndrojnë, shpesh e vlerësojnë kontributin e tyre në shoqërinë vendase dhe e shohin si një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre.

Kurse, nevoja për vetë-realizim dhe zhvillim personal është një alternativë motivuese shtesë për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Atje, mundësitë për zhvillim personal dhe profesional perceptohen si më të larta, duke përshpejtuar vendimmarrjen për të ndërruar vendbanim. Në anën tjetër, ata që zgjedhin të qëndrojnë, shohin mundësitë për të arritur objektivat e tyre personale dhe profesionale brenda vendit si një stimul për të qëndruar në Kosovë.

Tani, le të shqyrtojmë anët e mundshme pozitive dhe negative të largimit të punonjësve në tregun e punës në Kosovë, duke përfshirë ata punonjës që vendosin të qëndrojnë.

Anët pozitive për tregun e punës në Kosovë me supozimin e largimit të një numri të konsiderueshëm të tyre nga Kosova drejt Bashkimit Evropian:

Mundësi të reja për ata që qëndrojnë: Largimi i një numri të punonjësve mund të hapë vende të reja pune dhe mundësi për ata që vendosin të mbeten. Kjo do të mundësonte zhvillimin e tyre dhe avancimin në karrierë brenda Kosovës.

Rritja e vlerës së aftësive lokale: Në rastin kur një numër i madh i punonjësve me përvojë largohen, atyre që mbeten u buzëqesh fati. Këta mund të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’i përdorur ato në vendet e tyre të punës. Deri tani, ishin të “pazbuluar”!

Mundësi për të mbushur boshllëkun në tregun e punës: Nëse disa sektorë përballen me mungesë të punonjësve, kjo mund të çojë në rritjen e pagave dhe beneficioneve për ata që qëndrojnë. Këto pozicione bëhen më tërheqëse dhe më të paguara.

Transferim i njohurive: Punonjësit që kthehen në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian mund të sjellin njohuri dhe përvoja të reja. Të kthyerit, me përvojat e tyre mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Ndërtimi i rrjeteve të reja: Largimi nga Kosova dhe kthimi i sërishëm, potencialisht, mund të krijojnë rrjete të reja të kontakteve që mund të jenë të dobishme në të ardhmen.

Tani, flasim për anët negative për tregun e punës në Kosovë me supozimin e largimit të një numri të konsiderueshëm të punëtorëve në drejtim të Bashkimit Evropian:

Mungesa e njohurive dhe aftësive të humbura: Largimi i një numri të madh të punonjësve me përvojë dhe njohuri të caktuara mund të krijojë vështirësi në disa sektorë ku ka nevojë për këto aftësi specifike.

Mungesa e shkathtësive të reja: Në rastin kur punonjësit largohen për të gjetur mundësi të reja, vendi mund të përballet me sfida në marrjen e shkathtësive të reja dhe inovacionit brenda tregut të punës.

Ndikimi në zhvillimin ekonomik dhe projekte lokale: Largimi i një numri të madh të punonjësve mund të ndikojë në zhvillimin e projekteve lokale dhe mund të ketë pasoja në rritjen ekonomike të vendit.

Ndikimi emocional dhe kthimi i mundshëm: Disa prej atyre që largohen mund të përballen me emocione të vështira në një vend të ri. Kthimi i tyre në Kosovë mund të jetë i vështirë ose jo i mundshëm për shkak të kushteve të reja që kanë përjetuar.

*Vëmendje, Liberalizimi i Vizave edhe pse është për qëllime turistike (jo për punësim) mund të jetë një përvojë eksplorimi e një mundësie të re për ata që e shfrytëzojnë. Për shembull, dikush mund të kalojë kohë në një vend të Bashkimit Evropian për të provuar një pozicion të ri pune, por pastaj të kuptojë që situata apo kushtet nuk janë të atilla siç i imagjinonte, dhe në atë moment vendos të kthehet. Kthimi, pasi të kuptohet se situata nuk është siç pritej, është një mënyrë e shëndetshme për të eksperimentuar dhe për të vlerësuar vetveten dhe prioritetet individuale në një mënyrë më të qartë dhe të thellë. Kjo lloj përvoje është një mënyrë e vlefshme për të eksploruar dhe për të kuptuar nëse një vend, një pozicion pune, ose një realitet i ri është i përshtatshëm për nevojat dhe preferencat e individit.

Lavdrim Reçica, Master shkence në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore

https://www.linkedin.com/in/lavdrimreçica/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka më vend për dyshime! Teksa pak ditë më…