Kuvendi e kalon në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë
Ligjvënësit e kanë kaluar në lexim të parë një projektligj për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me gjithë vërejtjet e partive kryesore opozitare për përmirësimin e tij dhe hedhjen e tij në diskutim publik.
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe 25 abstenime, projektligji kaloi pengesën e parë pas një debati të gjatë në një seancë të premten.
Ky projektligj – i cili ka qenë prej kohësh prioritet i kryeministrit Albin Kurti – duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.
Synimi i këtij ligji është ta verifikojë ligjshmërinë e pasurisë të të gjithë zyrtarëve publikë në Kosovë, dhe pastaj t’ia lërë në dorë gjyqësorit konfiskimin e saj nëse vërtetohet se ajo ishte fituar kundërligjshëm.
Në paraqitjen e projektligjit, Gërvalla tha se ai e thotë qartë se “funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”.
“Ky projektligj është mesazh i qartë dhe shumë i pritur nga qytetarët se shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma realë, funksionalë për ta luftuar atë”, tha ajo.
Gërvalla kujtoi se hapat e parë për këtë ligj u ndërmorën më 2021 dhe projektligji ka kaluar në tri opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy shqyrtimeve nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“As Komisioni i Venedikut, as Kushtetuesja nuk e kanë kundërshtuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik”, tha Gërvalla, duke shtuar se rekomandimet janë përfshirë në projektligj.
“Procedurat nuk nisi arbitrarisht”, theksoi Gërvalla. “Ato iniciohen në bazë të informacioneve kredibile”.
Sipas saj, Byroja nuk konfiskon, gjykon apo zëvendëson gjykatat.
“Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.
Po ashtu, Gërvalla i cilësoi si “propagandë” informacionet se projektligji synon qytetarët e zakonshëm, duke theksuar se cak janë zyrtarët publikë që kanë pasuri të pajustifikuar.
Opozita me vërejtje për projektligjin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Përparim Gruda, tha se në parim, partia e tij nuk është kundër projektligjit.
“Në parim nuk jemi kundër ligjit as kundër konceptit civil të pasurisë. Për dallim nga ai penal që kërkon që barra e provës të vendoset te standardi përtej dyshimit të arsyeshëm, konfiskimi civil e ka një standard më të ulët që është vlerësimi i gjasave”, tha Gruda.
Gruda tha se PDK-ja ka disa vërejtje sa i përket projektligjit, sikurse është se për të nuk ka pasur konsultim publik.
Ai po ashtu tha se duhet që projektligji të jetë më i qartë, duke përmendur këtu çështjen e kompensimit, për personat që u bllokohet pasuria, por në fund del se nuk kanë bërë shkelje ligjore. Në ligj, sipas tij, ka formulim të përgjithshëm për kompensimin, ku thuhet se do të bëhet sipas legjislacionit civil.
“Mënyra e shkrimit të tekstit nuk është gjuhë juridike, është publicistikë”, tha ai, duke lexuar disa nene të tij.
PDK-ja, tha deputeti Gruda, do të abstenojë në lexim të parë dhe do ta përkrahë ligjin vetëm nëse vërejtjet e saj adresohen.
“Nëse ne, mes dy leximeve, japim shans që Kuvendi të organizojë konsultim publik legjislativ, ne mund t’i adresojmë të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ta kalojmë bashkë këtë ligj. PDK sot do të abstenojë që të japë një shans që mes dy leximeve të përmirësohet”, tha Gruda.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkoi që projektligji duhet të hidhet së pari në konsultim publik dhe argumentoi se ai ka paqartësi.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se projektligji si i tillë, nëse bëhet ligj, atëherë mund t’i prekë shumë familje të cilat kanë ndërtuar pasuri falë ndihmës së familjarëve të tyre në mërgim përmes remitancave.
“Ministrja tha se qytetari i rëndomtë nuk do të preket, por ne po harrojmë se 80.000 zyrtarë publikë janë familjarë të qytetarëve të rëndomtë. Një familje në Kosovë, që mund ta ketë një zyrtar publik, mund të ketë pranuar për 18 vjet edhe të holla nga mërgata; para të sjella kesh e pa kontrata. Sipas këtij ligji, kjo familje mund të thirret për ta dëshmuar çdo cent, e çka ndodh me atë familje nëse nuk mund ta dëshmojë këtë?”
Ajo argumentoi se ka paqartësi brenda neve, kundërthënie brenda ligjit dhe shtoi se kur vetë ligji nuk është i qartë “ai nuk është neutral, ai bëhet i rrezikshëm, sepse sot mund të interpretohet në një mënyrë, e nesër në një mënyrë tjetër”.
Kica-Xhelili gjithashtu nënvizoi se Byrosë i mungon pavarësi, duke qenë se, sipas projektligjit, komisioni i saj zgjedh drejtorin e saj, bën vlerësimin e tij dhe ka fuqinë ta shkarkojë atë.
Komisioni i Byrosë zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës me një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, sipas projektligjit.
Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës e miratoi projekligjin dhe e procedoi në Kuvend për miratim në dy lexime.



