Kuvendi i Shqipërisë mblidhet më 7 korrik mbi gjenocidin në Srebrenicë

01 korrik 2022 | 13:32

Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar projekt-rezolutën e dorëzuar nga shumica qeverisëse për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë për seancën që do të mbahet më 7 korrik.

Në projekt rezolutën e dorëzuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Nismëtarët pohuan se projekt-rezoluta iu referohet 3 rezolutave të miratuara nga Parlamenti Evropian në vitet 2005, 2009 dhe 2015.

Ndër të tjera theksohet se dënohet fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lëvdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi.

Gjithashtu konsiderohet e papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 11 rezoluta dhe deklarata për ngjarjet në Kosovë, ku në dy prej tyre është përcaktuar qartë dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, raporton Rel.

Prej shumë vitesh Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë.

Deputetë të opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, u përpoqën pa sukses në mesin e muajit maj të përfshinin në punimet e Kuvendit një projekt-rezolutë për Srebrenicën.

Deputetët socialistët penguan kalimin e saj në seancë plenare, me argumentin se kërkesa nuk po rrëzohej prej temës, por për shkak të propozuesve të saj.

Deputetët socialistë u shprehën se nuk mund të pranonin propozime të tilla nga një person i shpallur non grata nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, dhe i njohur edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviqit.

Projekt-rezoluta e dorëzuar sot pritet të miratohet në seancën plenare të 7 korrikut.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka njoftuar se kanë ftuar përfaqësues zyrtar të Bosnje Hercegovinës që të jenë në Kuvend në seancën që mbahet më 7 korrik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një urë e re e cila pritet të ndërtohet midis…