Kuvendi i Shqipërisë miraton projektin për portin e Durrësit

25 nëntor 2022 | 12:44

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që sipas qeverisë, do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.

Në seancën e së enjtes, e cila ka zgjatur rreth 14 orë, pas mesnate është miratuar marrëveshja e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar.

Në favor të kësaj marrëveshjeje kanë votuar 76 deputetë, ndërsa 35 deputetë kanë votuar kundër këtij projekti.

Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa në momentin e votimit të pranishëm në sallë ishin 111 deputetë.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.

Seanca u shoqërua me debate të ashpra dhe është ndërprerë dy herë, për shkak të tensioneve të krijuara gjatë fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, e ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar atë si historik.

“Investimi kap vlerën e 1.2 miliard eurove. Do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, ka thënë Rama duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës për marrëveshjen.

Opozita e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Rama.

“Marrëveshja shkel me të dy këmbët Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor”, ka thënë Berisha.

Shefi i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka thënë se në Portin e Durrësit do të pastrohen paratë e krimit.

Marrëveshja për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” është nënshkruar më 11 gusht të këtij viti ndërmjet qeverisë shqiptare dhe investitorit arab, Muhammed El Alabbar.

Disa ditë pas nënshkrimit, ka pasur një reagim nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe qartësi.

Më 23 nëntor, Zyra e BE-së në Tiranë ka njoftuar i se është anuluar granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësi, për shkak të modifikimit të projektit.

Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.

Por, të enjten gjatë fjalës së saj para deputetëve, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka thënë se anulimi i grantit ishte kërkuar prej saj në vitin 2019.

“E kam kërkuar personalisht, sepse nuk kishte pse Shqipëria të merrte një grant 28 milionë euro për të përmirësuar kalatat 1 dhe 2 në portin e Durrësit, për të futur më shumë çimento, grurë apo qymyr, se nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. U ulëm, diskutuam me BE-në, pasi ishte një aplikim i bërë 12 vjet më parë, dhe në kaq kohë Shqipëria ka ndërruar prioritete dhe strategji”, ka thënë ajo.

Zyra e BE-së në Tiranë ka deklaruar se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.

Pas miratimit në Kuvend, marrëveshja shkon në presidencë për dekretim.

PD-ja ka depozituar padi në Gjykatë Kushtetuese dhe ka informuar partnerët ndërkombëtarë, pasi pretendon se projekti shkel Marrëveshjen e Asociim- Stabilizimit.

Me nisjen e zbatimit të marrëveshjes me investitorin arab në Durrës, porti tregtar do të duhet të zhvendoset në Porto Romano.

Sipas Ballukut, ky port i ri nuk do t’u përgjigjet vetëm nevojave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.

Ajo ka thënë se ky port do të lidhet përmes linjës hekurudhore me Portin e Thatë të Prishtinës, por edhe me Portin e Thatë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke u vënë kështu në shërbim të të gjithë Ballkanit Perëndimor. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mendimet e shumë tifozëve në Katar dhe në mbarë…