Kuvendi i Kosovës bëhet anëtar i Asamblesë së Frankofonisë

09 korrik 2018 | 18:26

Kuvendi i Republikës së Kosovës është pranuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, në mbledhjen e cila është mbajtur të hënën në Kanada.

Lajmin e ka konfirmuar kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë seancës së Kuvendit.

“Kam kënaqësinë e madhe që t’ju njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses. Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare”.

“Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, ka thënë Veseli.

Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili muaj më parë ka takuar edhe krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.

Para një muaji, pikërisht për këtë çështje, kryeparlamentari Veseli ka pritur në Prishtinë, sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, ka thënë se do…