Kuvendi nuk miraton rezolutën për faljen e gjobave të bizneseve për pandeminë

04 qershor 2021 | 13:04

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar të premten propozim-rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për faljen e gjobave të bizneseve që u shqiptuan gjatë pandemisë. Pro kësaj rezolute, kanë votuar për 22 deputetë, 43 votuan kundër dhe nuk kishte ndonjë abstenim

Kuvendi i Kosovës të premten ka vazhduar punimet e seancës plenare të datës 3 qershor. Në cilësinë e ftuesit të interpelancës për “Faljen e gjobave të bizneseve të prekura nga situata me Covid-19”, fjalën e mori Besnik Tahiri (AAK), i cili paraqiti një varg arsyesh se përse këto borxhe duhet të falen.

Deputeti Tahiri ka theksuar se ndër problemet e shfaqura si pasojë e gjobave të bizneseve janë rritja e papunësisë, e cila, siç tha ai, ia pamundësoi bizneseve operimin me kapacitete të njëjta të punonjësve, duke ndikuar në uljen ekonomike dhe atë të mirëqenies sociale.

“Vlerësojmë se pozicionimi krejtësisht joparimor, se falja e gjobave do të prodhojë efektin e pabarazisë, mendoj se është më tepër shmangie nga përgjegjësia, aq më tepër kur jemi në rrethana të pandemisë dhe efekteve zinxhirore që ajo ka prodhuar në ekonomi”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket thirrjes për faljen e gjobave të bizneseve të prekura nga situata e Covid-19, ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se bizneset të cilat kanë marrë gjoba, e kanë mundësinë që deri më 30 qershor të përfitojnë nga mundësia e heqjes së tyre, në rast se tatimpaguesi paguan shumën e plotë të borxhit si dhe interesin, me ç’rast, falja ndëshkimore do të ndodhë deri në datën e lartcekur, por se sipas tij, pjesa e borxhit duhet të paguhet pashmangshëm. “Falënderojmë të gjithë ata tatimpagues të rregullt që çdo muaj i paguajnë shtetit tatim, çdo muaj i mundësojnë këtij shteti 100 milionë euro paga e pensione pa asnjë vonesë. Borxhet duhet të paguhen, kanë mundësi bizneset që prej ATK-së të bëjnë marrëveshje që t’i paguajnë me këste”, ka theksuar Murati.

Për më tepër, ai shtoi se shqiptimi apo falja e gjobave, nuk është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e as e qeverisë, sepse këto gjoba janë të parapara me ligj.

Në emër të Grupit Parlamentar të LV-së ka folur deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila e pa si të paarsyeshme thirrjen e kësaj interpelance. “Në rrethanat normale të funksionimit dhe të qasjes së opozitarizmit, qeveria mbahet në llogari për moszbatim të ligjit, por Qeveria nuk thirret në interpelancë për zbatim të ligjit dhe kërkim për devijim nga ligji, dhe kjo me të vërtetë është praktikë dhe standard i cili nuk është dashur të kultivohet”, ka thënë Kusari-Lila.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, fjalën e mori deputeti Bedri Hamza, i cili i bëri thirrje qeverisë që të propozojë masa ligjore për faljen e gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve në kohë pandemie. “Kërkojmë një plan konkret për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, stimuj financiarë për t’i ndihmuar qytetarët të cilët kanë humbur vendet e punës, për shkak të pandemisë, përmes vetëpunësimit. Kërkojmë mbështetje për kompanitë private, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që garantojnë kthimin më të lartë të rritjes së punësimit dhe rritjen e të ardhurave”, ka thënë deputeti Hamza.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Besian Mustafa ka thënë se e sheh si të pavend vendimin e qeverisë për pagimin e 11 milionë eurove për katër komunat në veri, ndërsa refuzon faljen e gjobave të qytetarëve, në 34 komunat e tjera të Kosovës. “Në rrethanat normale, gjobat janë një vegël e vogël që luajnë një rol të madh në zbatimin e politikave shtetërore, një gjobë për individin për të mbrojtur shoqërinë, një sakrificë individuale për të mirën e përgjithshme, por, rrethanat e viteve 2020-2021 nuk ishin dhe nuk janë normale dhe se pandemia globale Covid-19 dërgoi qeveritë e të gjitha shteteve anekënd botës në panik për të menaxhuar pandeminë dhe për të shpëtuar qytetarët e tyre”, ka thënë deputeti Mustafa.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ndihma nga shteti për qytetarët, gjatë pandemisë ka qenë minimale, ndërsa gjobat kanë qenë maksimale, andaj me faljen e gjobave, gabimi do të mund të përmirësohej. “Grupi Parlamentar i Aleancës kërkon reflektim nga deputetët, kryeministri, pozita dhe pastaj padyshim edhe nga opozita, që falja e dënimeve gjatë pandemisë të shndërrohet në ligj”, është shprehur Lekaj.

Pas një debati të gjatë nga ana e deputetëve dhe përgjigjeve të ministrit, nënkryetarja Bugujevci ka ftuar deputetët që të deklarohen me votë për propozim-rezolutën e paraqitur nga ana e iniciuesit të interpelancës, me ç’rast me 22 vota për, 43 vota kundër dhe asnjë votë abstenim, Kuvendi nuk e miratoi atë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar këtë të premte…