Ky është fletëqortimi i qeverisë për shoferët me targa ilegale

01 nëntor 2022 | 08:09

Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Fletë qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Masa e qortimit është vendosur që të përfundoj më 21 nëntor 2022. E më pas nga kjo datë e deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale është vendosur që të shqiptohen gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Gjobat që parashihen të shqiptohen për dy muaj radhazi do e kenë lartësinë prej 150 euro.

Pas përfundimit të kësaj faze, vendimi i Qeverisë parasheh që nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat ilegale për të hyrë dhe për të qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese.

Qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale, edhe gjatë kohës që pajisjen me targa provuese do t’i mundësohet regjistrimi në targa RKS, me lehtësirat e parapara.

Këto lehtësira është thënë se janë në taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

Më pas për një muaj, nga data 31 mars 2023 deri më datë 21 prill 2023, automjetet që do të regjistrohen me targa RKS nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara.

Krejt në fund të këtij procesi, pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.

MPB tha se duan që të sigurojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtet, rritjen e sigurisë në trafik dhe se ky vendim nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nëntor 1999, në fshatin Kishnicë, afër Prishtinës, në shtëpinë…