Ky pritet të jetë formacioni i Shqipërisë ndaj Francës

17 nëntor 2019 | 16:05

Shqipëria pritet të bëjë pesë ndryshime për të tentuar mrekullinë ndaj kampionëve të botës, Francës.

Odise Roshi, një nga lojtarët më të mirë në barazimin ndaj Andorrës, duke dhënë dy asistime për gol, befas përfundon në stol. Ndodhi ajo që kishte paralajmëruar në numrin e djeshëm “Panorama Sport”, teksa skema 3-5-2, që aplikon Reja, e penalizon mesfushorin fierak.

Por cilët janë lojtarët e tjerë që ishin titullarë katër ditë më parë dhe nuk do të jenë sot në fushë? Dilemat nisin me portën, aty pritet të rikthehet mes shtyllave Thomas Strakosha. Megjithatë, në seancat e fundit që ka zhvilluar trajneri kuqezi, të vetmin pozicion që nuk e ka zbuluar plotësisht, është pikërisht porta. Berisha ishte titullar ndaj Andorrës dhe Reja nuk kërkon ta demoralizojë duke e ulur në stol pse pësoi dy gola.

Por, gjithçka mbetet e hapur dhe do të jetë një vendim i orëve të fundit nga italiani. Sa i përket mbrojtjes me tre lojtarë, gazeta mëson se vendin të sigurt e kanë Gjimshiti dhe Dermaku, ndërsa një mes Veselit dhe Ismajlit lufton për një fanellë. Në seancën taktike që bëri dje paradite në Durrës, Reja provoi titullar Veselin.

Ndërkohë, mesfusha është reparti më i prekur. Përveç Roshit, do të ulen në stol edhe Ramadani, Ndoji, Trashi dhe me shumë mundësi Memushaj. Reja provoi Hysajn në të djathtë dhe Lenjanin në të majtë, ndërsa në qendër rikthehet dyshja Bare-Gjasula.

I vetmi merak i trajnerit është Qose apo Memushaj titullar. Dje u provua korçari, për të cilin do të jetë debutim nëse aktivizohet. Gjendja jo e mirë fizike e vlonjatit, që vjen edhe pas angazhimit si titullar ndaj Andorrës, duket se e ka futur në dyshime Rejan, prandaj dhe planet po i bën me Qosen titullar. Sa i përket dyshes së sulmit do të jetë sërish Manaj dhe Balaj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Shqipërisë iu ka konfiskuar fishekzjarrë dhe kapsolla në…