Lahi Brahimaj konfirmon kandidaturën për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit

01 dhjetor 2025 | 19:16

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka konfirmuar se do të rikandidojë për deputet nga radhët e AAK-së në zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Njoftimi i plotë i Brahimajt:

Të dashur miq,

Më 9 shkurt më dhatë nderin më të madh: më zgjodhët deputet të Kosovës. Fatkeqësisht, ajo legjislaturë nuk u funksionalizua dhe nuk pata mundësinë t’i shërbej vendit me punë e angazhim, ashtu siç ma kërkonte ndërgjegjja dhe besimi juaj.

Me shpalljen e zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor, kam marrë vendimin që edhe një herë të rikandidoj dhe të kërkoj votën dhe besimin tuaj.

Jam rritur në një familje sakrifice dhe jam pjesë e brezit që i është përgjigjur thirrjes së atdheut në ditët më të vështira. Për mua, angazhimi publik nuk është veç politikë, por vazhdim i asaj rruge; është obligim moral ndaj dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, familjeve të tyre dhe çdo qytetari që e do Kosovën.

Ju kërkoj mbështetjen me besim, ashtu siç ma keni dhënë gjithmonë. Vota juaj më jep mundësinë të punoj për ju dhe për Kosovën që e duam të gjithë.

Me respekt dhe mirënjohje,

Lahi Brahimaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Dr. Sc. Antigona Gashi Rëndësia e vizitës së kryetari…