Lahm: PSG-ja ta futë frikën në letër, shpresoj që Bayerni të jetë në ditën më të mirë

08 shkurt 2023 | 16:50

Diferenca e ngushtë në tabelën e Bundesligës pas 19 javësh e ka çuditur Philipp Lahm, aq sa të deklarojë se kampionati ka marrë tjetër perceptim nëse u referohemi viteve të fundit.

Madje ish-kapiteni i Bayernit nuk ka anashkaluar as duelin e ethshëm në Ligën e Kampionëve përballë PSG-së, i cili, sipas tij, do të jetë shumë i vështirë.

“Liga vendëse ka pësuar transformim në sezonin aktual dhe renditja shërben si matësi më i mirë. Konkurrenca nuk përfshin vetëm Bayernin me Dortmundin, ekipe që i kanë dhënë ritëm futbollit gjerman në vitet e fundit, sigurisht me mbizotërimin e bavarezëve. Unioni dhe Leipzigu ndodhen aty, ashtu si Frankfurti me lojtarë tepër cilësorë. Gjithsesi u qëndroj besnik mendimeve se Bayerni do të ngrejë sërish trofeun pas 34 raundesh. Nga krahu tjetër ky fenomen mund të ndikojë pozitivisht edhe në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar shtatshkurtri gjerman.

“Yjet e Parisit ta fusin frikën në letër, por fusha do të japë panoramë më të qartë. Mjafton për ta parë përbërjen e tyre me emra të rëndë si Messi, Neymar apo Mbappe për të kuptuar se kundër kujt po luan dhe çfarë qëllimi ke në kokë. Të shpresojmë se djemtë e Nagelsmanit do të jenë në ditën më të mirë ndaj një skuadre të nivelit botëror në çdo repart. Besoj se episode të caktuara do të vendosin verdiktet finale se kush do të shkojë në fazën tjetër”, përfundoi drejtori i turneut “Euro 2024” për Agjencinë e Shtypit Gjerman. Akti i parë mes dy ekipeve në fjalë në kompeticionin më të rëndësishëm në spektrin e klubeve në rruzullin tokësor do të zhvillohet me 14 shkurt, ndërsa ai i kthimit më 8 mars, ku tempulli i “Allianz Arena”-s do ta përcaktojë çerekfinalistin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e…