Lajçak pas takimit të dytë me Vuçiqin: Tash do t’i finalizojmë përgatitjet për takimin e Ohrit

14 mars 2023 | 21:05

Emisari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimet në Beograd që kanë të bëjnë me marrjen e komenteve lidhur me aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, pas takimit të dytë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të martën në Beograd, ka deklaruar se ka dëgjuar komentet e tij.

“Përfundova takimin tim të dytë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për të dëgjuar komentet e tij mbi Aneksin e Zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen e BE-së. Pasi kemi marrë reagime nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Lajçak në Beograd ka takuar edhe opozitën serbe me të cilët ka biseduar për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të Propozimit evropian, e të cilën më 27 shkurt e pranuan në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 13 dhe 14 mars, me qëllim të mbledhjes së informacionit sesi do të zbatohet e ashtuquajtura Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieres kosovare, Donjeta Sadikut, i është mohuar e drejta që…