Lajçaku: Takimi Kurti-Vuçiq nuk ishte i lehtë
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq nuk ishte i lehtë.
“Nuk ishte takim i lehtë, por është e rëndësishme që ky takim ndodhi. Dy liderët treguan qartë se çfarë duan. Dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër për dy shtetet pa normalizim të marrëdhënieve. Të dy janë të angazhuar për të punuar në normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut”, ka thënë Lajçaku.
Ai ka thënë se BE-ja pret që Kurti dhe Vuçiqi ta shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së.
“BE-ja ka pritshmëri të lartë nga dy liderët që të kapërcejnë të kaluarën dhe të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane”, ka thënë Lajçaku, duke konfirmuar se takimi tjetër do të ndodhë në fund të muajit korrik.



