Lajçaku thotë se me Bislimin bisedoi për marrëveshjen për normalizim dhe dinarin serb

05 mars 2024 | 11:53

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me kryenegeciatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka biseduar për nevojën e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb.

Pas takimit në Prishtinë më 5 mars, Lajçaku  ka paralajmëruar një takim të ri të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel “në ditët në vijim”.

Ai ka thënë se më 27 shkurt në Bruksel, në nivel ekspertësh është diskutuar për çështjen e dinarit, por disa aspekte të rregulloresh është dashur të diskutohen me Bislimin.

“E di që kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj të organizoj një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, ka thënë Lajçaku.

Për çështjen e dinarit, BE-ja kishte thirrur një takim më 27 shkurt, në të cilin nuk kishte marrë pjesë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutën me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Rregullorja është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se ai u mor pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet te popullata serbe. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Minnesotas ka marrë kreun e renditjes në Konferencën…