LAMTUMIRA E JORGE LUIS BORGESIT

18 prill 2022 | 15:52

Sali Bashota

Më lanë sytë
Nuk shoh më
Gra të bukura
Duke ujitur lule
Në balkonin me grila
Tërë ditën e lume
Më lanë veshët
Nuk dëgjoj më
Asnjë këmbanë zemërimi
Deri në mëngjesin tjetër
Më lanë ëndrrat
Në secilën natë
Është e njëjta heshtje
Si në shkëlqimin e hënës
Më la edhe lumturia
Bashkë me hijen e labirintit
Deri nesër në mbrëmje
Më la dashuria
Nuk kam kujt t’i them
Më urrej pa fund e dashur
Nuk më la shpirti
Unë jam ai i pavdekshmi
Ndoshta keni dyshuar
Në parandjenjën e fatit
Edhe pak vijnë lexuesit
Mos i lërni të presin
Është i gjatë rendi
Deri te muret e verbërisë sime

(18 prill 2022)

Shënim:
Jorge Luis Borges (1899 -1986) është shkrimtar argjentinas, ndër më gjenialët në letërsinë botërore. Ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Argjentinës.
Ishte i verbër që nga gjysma e jetës së tij. Poezitë, ligjëratat, tregimet, esetë dhe shkrimet e veta të shumta i ka “shkruar” në mendje, dhe ia ka diktuar nënës e të tjerëve, pastaj i ka botuar në libra të veçantë.
(SB)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar sot familjen e…