Lansimi i platformës “superpuna”, Kurti: Kjo rrit punësimin e të rinjve

06 shkurt 2023 | 12:38

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në lansimin e platformës “superpuna”.

Ai ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës.

Kurti ka thënë se lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.

“Vitin e kaluar, kemi zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar. Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës ‘Qeveria për Familjet’, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar. Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për 6 muajt e parë të punësimit”, ka thënë Kurti.

Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, Kurti ka thënë se qeveria po ndërton një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit.

“Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori. Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër. Më lejoni që të falënderoj të gjitha ata të cilët kanë kontribuar dhe ndihmuar në finalizimin e kësaj ndërmarrjeje, veçanërisht ambasadën e zvicerane në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i Drejtorëve të DhTIK ka emëruar Zana Beqirin, drejtoreshë…