Lansohet faza e re e fushatës vetëdijesuese për liberalizimin e vizave

10 tetor 2018 | 11:58

Ministria e Integrimit Evropian sot ka lansuar fazën e re të fushatës për liberalizimin e vizave, ku kanë marrë ministrja Dhurata Hoxha, kryeministri Ramush Haradinaj, shefja e Zyrës së BE-së Apostolova dhe ambasadori gjerman Christian Heldt

Me këtë rast ministrja Hoxha ka falënderuar GIZ-in, Ambasadën e Gjermanisë dhe Zyrën e BE-së për përkrahjen nga viti 2012 kur filloi rrugëtimi i gjatë i plotësimit të 95 kritereve për liberalizimin e vizave, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë pasur vetëm 41 sosh.

Hoxha ka treguar se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv, si dhe me sukses ka kaluar votimi në komisionin LIBE dhe në Parlamentin Evropian.

Ajo ka theksuar se tani jemi një hap afër liberalizimit të vizave dhe sfida e fundit do të jetë votimi në Këshillin e Ministrave.

“Ne nuk do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv, reformat do të vazhdojnë me intensitet edhe më të shtuar. Sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar shumë. Kemi ndërmarrë disa hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet anëtar veç e veç”, ka deklaruar Hoxha, duke cekur fuqizimin e legjislacionit për të huajt, sigurinë e kufijve dhe migracionin konform standardeve evropiane si dhe zbatimin e marrëveshjeve të riatdhesimit.

Ajo ka thënë se me mbështetjen e GIZ-it po lansohet fillimi i fazës së re të fushatës vetëdijesuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Fushata ka për qëllim kryesor qasjen te qytetarët me informatat e duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave. Ku dhe sa mund të qëndrohet dhe rregullat e tjera të zonës Schengen”, është shprehur ministrja Hoxha, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të mbështes këtë fushatë me mjete shtesë krahas mbështetjes së GIZ-it.

“Do të sigurohemi të gjithë së bashku që mesazhet që do të përçohen të jenë të duhurat dhe mjaftueshëm informuese për qytetarin. Do të shkojmë në çdo qytet, fshat e lagje në mënyrë që qytetarët tanë të jenë pjesë aktive e kësaj fushate”, ka thënë Hoxha duke shtuar se përveç Qeverisë dhe dikastereve të saj, fushata do të zgjerohet dhe mbështetet edhe nga Kuvendi dhe institucionet tjera.

Sipas saj, fushata do të jetë gjithëpërfshirëse dhe të gjithë së bashku me qytetarët do të arrihet një nivel i kënaqshëm i vetëdijesimit në mënyrë që të mos bëhet keqpërdorim apo të rrezikohet liberalizimi për shkak të mungesës së informacioneve.

“Do të dëgjojmë zërin e qytetarëve dhe do të japim mesazhe të qarta se liberalizimi i vizave nuk guxon dhe nuk duhet të keqpërdoret. Më lejoni që sot të shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë qytetarët, institucionet, shoqërinë civile, mediet dhe misionet e shteteve anëtare në Kosovë që të gjithë së bashku, të jemi pjesë aktive e kësaj fushate, sepse vetëm me këtë bashkëveprim mund të jemi të suksesshëm”, ka theksuar Hoxha, duke falënderuar përkrahësit e fushatës, dhe duke uruar suksese në këtë fushatë të rëndësishme për qytetarët dhe vendin tonë.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti GAP ka publikuar në platformën online dinamikën e realizimit…