Largohet investitori potencial për investimin e 110 milionë eurove në Kosovë, shkon në Maqedoni

29 nëntor 2021 | 12:15

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka treguar se është larguar një investitor nga Kosova.

Sipas tij, një investitor potencial për të investuar në Vushtrri, 110 milionë euro në energjinë me erë, ka shkuar në Maqedoni.

“‘Akou Energy’, investitor francez, në Maqedoninë e Veriut po investon 220 milionë euro, ka njoftuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.  Në Kosovë i njëjti investitor ka 3-4 vjet që po endet poshtë e lartë në Qeverinë e Kosovës duke pritur të investojë 110 milionë euro në energjinë me erë në projektin ‘Çyçavica Wind Farm’ në Vushtrri për të cilin projekt komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar memorandum dhe i ka dhënë të gjitha lejet ne kohë”, ka shkruar Gërxhaliu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se dallimi është se Maqedonia e Veriut i ka përfunduar procedurat për një muaj, duke i dhënë statusin investitor strategjik “Akou Energy” nga Franca.

“Qeveria e Kosovës nuk po arrin t’i kryejë të njëjtat procedura për më shumë se tri vjet, prandaj ikin investitorët nga Kosova e shkojnë në vendet fqinje. Kosova promovon investime për rajonin falë burokracisë, padijenisë dhe korrupsionit”, ka thënë Safet Gërxhaliu.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka njoftuar se në këtë shtet do të ndërtohet një nga parqet diellore më të mëdha në Evropë, me kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike prej 350-400 MW.

Sipas tij, parku diellor “Stipion” do të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm 2022 në lokacionin që është paraparë për aeroportin e ngarkesave në Shtip, i cili ka kushte të shkëlqyera për ndërtimin e termocentralit fotovoltaik.

“Sipas planit, sasitë e para të energjisë elektrike do të rrjedhin gjatë vitit 2023 dhe realizimi i plotë pritet deri në fund të vitit 2024”, ka deklaruar Zaev, duke shtuar se ky impiant fotovoltaik do t’i plotësojë nevojat e rreth 116 mijë familjeve. “Ky është investimi më i madh i drejtpërdrejtë francez në këtë fushë për ekonominë maqedonase. Për realizimin me sukses të investimit, qeveria ka miratuar vendim për përcaktimin e statusit të projektit strategjik investiv të kompanisë për prodhimin e energjisë elektrike ‘Ostro Solar’ në Shkup”, është shprehur Zaev.

Ky projekt strategjik do të zbatohet nga kompania lidere franceze për prodhimin e energjisë elektrike, ekskluzivisht nga burimet e rinovueshme “Akuo Energy”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut identifikuan një variant të ri…