Legjenda e PSG-së: Verrati ka marrë fund. E kalon kohën me duhan dhe alkool
Mesfushori i Paris Saint-Germain, Marco Verratti është ‘sulmuar’ nga legjenda e klubit parisien, Jerome Rothen, i cili ka thënë fjalë të rënda për italianin.
Verratti, i cili është shumë afër largimit nga kampionët e Ligue 1 është vënë në shënjestër të ish-mesfushorit sulmues të skuadrës parisiene.
Rothen e sulmoi Verrattin në ‘podcast’-in e tij, duke thënë se italiani ka mbaruar si lojtarë dhe nuk mund ta udhëheq ekipin duke ndenjur, tymosur duhan dhe pirë alkool.
“Nuk dua ta kritikoj për cilësitë e tij si lojtar. Por, ai nuk e meritoi zgjatjen e kontratës në fillim të vitit: drejtuesit gabuan. Për mua, Verratti ka marrë fund, është 31 vjeç”, ka thënë fillimisht Rothen.
“Ai kurrë nuk e kuptoi se si ishte karriera apo jeta e një futbollisti profesionist të nivelit të lartë. Dhe kurrë nuk do ta kuptojë”.
“Nuk mund ta japësh këtë mesazh në zhveshtore nga një lojtar që luan 60 për qind të ndeshjeve dhe shpesh është shumë i lodhur në minutën e 60-të”.
“Dikush që e kalon kohën duke ndenjur, duke tymosur apo duke pirë alkool. Këto janë gjëra që dëmtojnë imazhin e klubit”, përfundoi legjenda franceze.