Letër e Lobit Euro Atlantik Shqiptar drejtuar Trumpit, Merkelit dhe Borrellit

03 maj 2020 | 12:25

Të nderuar, shkëlqesia Juaj,

Lobi Euro Atlantik Shqiptar me seli në Lörrach të Gjermanisë, po ndjek me shqetësim ngjarjet që po zhvillohen në Republikën e Kosovës dhe rreth saj.

Shkëlqesitë e juaja, zoti president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, zonja Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë dhe zotëri Josep Borreli, shef i diplomacisë evropiane;

– Duke parë gjendjen tejet të rëndë politike, pandemike, ekonomike e shoqërore në Republikën e Kosovës;

– Duke parë presionin e vazhdueshëm dhe të një anshëm të politikës ndërkombëtare mbi Kosovën;

– Duke qenë se Kosovën e keni lënë, vendin më të izoluar në botë;

– Duke parë se shpresat e popullit më vital në Evropë dhe më gjerë, me një rini të mrekullueshme, ato po ndrydhen në vazhdimësi;

LOBI EURO ATLANTIK SHQIPTAR JU BËN  THIRRJE

Që në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive tuaja, ta ndihmoni popullin e vuajtur të Kosovës që është katandisur në pafundësi.

Ndihma juaj është e mirëseardhur në tejkalimin e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Sot, Kosova po përjeton një shkallë të gjerë të presioneve politike ndërkombëtare me shprehjen:”merre ose leje”. Ky presion e ka sjellë atë në shkallën më të madhe të mjegullnajës politike.

Të nderuar,

E di se Ju keni forcë dhe mundësi që ta ndihmoni shtetin më të ri në Evropë, duke e vënë atë në baraspeshë me shtetin fqinjë serb. Siç po shihet, presioni i vazhdueshëm dhe i pashkëputëshëm po bie vetëm mbi Kosovën. Deri më tash, ndoshta me vendime paksa të vonuara, por Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare. Edhe heqja e tarifës, që ishte kërkesë e Bashkësisë Ndërkombëtare, u hoq.

Kosova hoqi tarifën kurse Serbia bllokoj për dy ditë radhazi, maunet transportuese të Kosovës dhe Shqipërisë për të kaluar në Serbi apo nëpër Serbi. Nuk pamë as më të voglen gatishmëri të BE-së dhe të zotit Grenell që do të dënonte këtë akt primitiv serb.

Koordinimi i politikave ndërkombëtare midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të  Amerikës, duhet të jetë në nivelin maksimal. Pa koordinimin e tyre, nuk do të ketë zgjidhje të përhershme të problemit Kosovë-Serbi. Kosova gjithmonë ka qenë për dialog, dhe shumëherë ka sakrifikuar për të. Por, sërish presioni mbi Kosovën nuk është ndalur. Prandaj edhe divergjencat midis dy politikave ndërkombëtare, dëmtojnë zgjidhjen e çështjes që duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë midis Evropës dhe SHBA-ve.

Kjo çështje madhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme dhe me presion vetëm ndaj njërës palë. Siç po shihet, tashmë presioni i të dërguarit të presidentit Trump  për bisedimet Kosovë-Serbi, zotit Grenell, po bie vetëm mbi Prishtinën. Neve  SHBA-të i kemi aleatët historik dhe miqtë më të çmuar dhe nuk ka forcë që mund t’i lëkundë ato marrëdhënie, prandaj miqësia e gjatë dhe dashuria që kemi ndaj popullit amerikan, nuk mund të jetë vetëm në dorën e një njeriu. SHBA-të, mund të bëjnë shumë në ndihmën përmante në të mirë të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës përmes arritjes finale të një marrëveshje dypalëshe, por jo duke shtypur interesat vitale të saj.

Rreziku i ndryshimit të kufijve midis dy vendeve, është një preokupim tjetër i popullit në Kosovë. Atij i vihen kufij edhe atje ku nuk kanë qenë, kërcënohet me ndryshime territoriale, i kufizohet, si të vetmit  vend në Evropë, liria e lëvizjes.

Këto presione, të nderuar, dëmtojnë  imazhin e lartë që populli i Kosovës e ka për Ju. Andaj, duke shpresuar në ndihmën tuaj të pakursyeshme për Kosovën, ju falënderojmë për mirëkuptimin që keni për ne dhe shtetin tonë.

Përherë falënderues për Ju,

Me respekt e sinqeritet të lartë,

Lobi Euro Atlantik Shqiptar, Lörrach, Gjermani

Shukri Ymeri, kryetar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbarë botën, regjimet diktatoriale janë përpjekur të shtypin lirinë…