Lëvizjet Nacionalçlirimtare dhe përdorimi i gabueshëm i fjalës “ilegal” (2)

22 mars 2019 | 11:48

Bardhyl Mahmuti

Kush ishte ilegal në territoret shqiptare nën Jugosllavi? Grupet, organizatat dhe lëvizjet që angazhoheshin për çlirim kombëtar, apo ata që pushtuan territoret tona dhe që përpiqeshin të zbatonin ligjet e tyre në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar?

Në pjesën e parë të shkrimit theksova se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. Gjithashtu përmenda se në raport me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe ua ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme.

Në kohën kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkanin Perëndimor Lidhja Shqiptare e Prizrenit hidhte poshtë si të paligjshëm çdo vendim që nuk përfillte vullnetin e popullit shqiptar të ndarë në katër njësi administrative (vilajete) të Perandorisë Osmane për të jetuar në një shtet të pavarur.

Me pushkë në dorë u kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit për të ndarë Kosovën dhe pjesë tjera të viseve shqiptare nga Shqipëria me qëllim që të kënaqnin aspiratat grabitqare të fqinjëve tanë.

Pa u zgjatur në detaje rreth atyre ngjarjeve po theksoj vetëm faktin se mijëra luftëtarë shqiptarë u vranë në periudhën 1878-1881, sepse kundërshtonin si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve tona.

Në përputhje të plotë me frymën e programit dhe qëndrimeve politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të gjitha format e organizimeve të mëvonshme politike shqiptare e kanë konsideruar si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve shqiptare dhe okupimin e tyre nga shtetet fqinje të Shqipërisë.

Për periudhën që shkon prej kohës së okupimit të territoreve shqiptare nga Serbia e deri në Luftën e Dytë Botërore po citoj historianin britanik Noel Malcom. Në veprën e tij të titulluar “Kosova, një histori e shkurtër” ai thotë: “E vërteta – sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.275). Për këtë arsye, “nëse një shtet kishte okupuar ilegalisht ndonjë pjesë të një vendi tjetër kur i është bashkuar Lidhjes (së Kombeve), atëherë asnjë shtet tjetër nuk do të ishte i obliguar për ta mbrojtur atë okupim ilegjitim” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.276).

Kur kemi të bëjmë me ilegalitetin e aneksimit të territoreve shqiptare Jugosllavisë, vlen të theksohet se edhe vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë në disa vendime të miratuara në kongreset e saja para Luftës së Dytë Botërore kishte ardhur te konkluzioni se shqiptarëve u ishte bërë padrejtësi e madhe. Po rikujtoj se në përputhje me qëndrimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për respektimin e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit mbajti Konferencën e saj në Bujan, në të cilën delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë të Kosovës miratuan në mënyrë unanime rezolutën përmes të cilës përcaktohej qartë se pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj.

Miratimi i Rezolutës së Bujanit për bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë kishte edhe karakter ndërkombëtar, për faktin se në këtë mbledhje merrte pjesë Majori Baili, përfaqësues i Misionit Anglez që përfaqësonte Aleancën Antifashiste.

Dihet se në vend të respektimit të së drejtës së popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, komunistët jugosllavë, në mënyrë të jashtëligjshme (ilegale), imponuan administrimin ushtarak në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit.

Ky administrim vazhdoi deri në të ashtuquajturin “Kuvend i Prizrenit”, ku 137 “delegatë” të emëruar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, prej të cilëve vetëm 32 persona ishin shqiptarë, vendosën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkëngjiten Serbisë.
Përmes kësaj mbledhjeje në “Kuvendin e Prizrenit”, komunistët jugosllavë përpiqen të legjitimojnë ripushtimin e territoreve tona.

Nga cili do këndvështrim i të drejtës që të shihen vendimet e kësaj mbledhjeje del qartë se vendimet e saj ishin VENDIME ILEGALE, për arsye se ishin në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të shprehur për bashkim me Shqipërinë.

Të gjitha grupet, organizatat dhe lëvizjet politike shqiptare në territoret që mbetën nën Jugosllavi, që u themeluan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike pushtetin jugosllav dhe instalimin e këtij pushteti në territoret tona e kanë cilësuar si ripushtim. Pra nga këndvështrimi i të drejtës së kombeve për vetëvendosje, e drejtë që qëndron në themelet e të drejtës ndërkombëtare, pushteti jugosllav në territoret shqiptare ishte PUSHTET ILEGAL. Dhe rrjedhimisht ligjet e këtij shteti kanë pasur karakter ILEGAL/TË PALIGJSHME.

Asnjë grup, asnjë organizatë dhe asnjë lëvizje asnjëherë nuk ka kërkuar leje nga pushteti jugosllav që të themeloheshin për realizimin e të drejtave tona kombëtare, por janë krijuar dhe kanë vepruar me qëllim të vetëm çlirimin e territoreve me shumicë shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Që nga korriku i vitit 1945, kur gjatë administrimit ushtarak të viseve shqiptare u mbajt i ashtuquajturi “Kuvend i Prizrenit”, komunistët jugosllavë trumbetonin pandërprerë se gjoja “bashkimi me Serbinë ishte bërë me vullnetin e popullit shqiptar”! Kjo propagandë kishte vetëm një qëllim: t’i jepej legaliteti pushtetit ilegal që nuk respektoi vullnetin e shprehur në Konferencën e Bujanit.

Përveç individëve që ishin të integruar në strukturat e pushtetit të serbëve, të maqedonasve dhe të malazezëve dhe që trumbetonin se gjoja shqiptarët kishin vendosur të mos bashkoheshin me Shqipërinë, por të jetonin të copëtuar në mes tri republikave sllave, asnjë shqiptar nuk mund ta konsideronte të ligjshëm pushtetin e instaluar me dhunë nga komunistët jugosllavë. Përkundrazi, ky pushtet ishte PUSHTET ILEGAL në raport me vullnetin e popullit tonë, dhe vetëm si i tillë mund të cilësohej nga grupet, nga organizatat dhe nga lëvizjet politike shqiptare.

Disa reagime lidhur me shkrimin tim më imponojnë të ndalem në sqarimin edhe të termit “klandestin”. Edhe pse kohët e fundit një numër gazetarësh përdorin këtë term për të emëruar emigrantët që hyjnë fshehurazi në një shtet të caktuar, kjo fjalë është me origjinë nga fjala latine “clandestinus” që do të thotë “i fshehtë” dhe që nuk ka asnjë lidhje as me çështjet e autoktonisë e as me ardhacakët në një vend të caktuar.

Kur bëhet fjalë për format e fshehta të veprimtarisë së grupeve, të organizatave dhe të lëvizjeve politike shqiptare në Jugosllavinë e dikurshme veçohen futja dhe shpërndarja e literaturës së ndaluar, shtypja dhe shpërndarja e gazetave të tyre, shtypja dhe shpërndarja e trakteve e komunikatave dhe aktivitete të kësaj natyre… Megjithatë nuk duhet të harrohet se krahas veprimtarisë së fshehtë të kontestimit të legalitetit të pushtetit jugosllav, grupet, organizatat dhe lëvizje politike shqiptare, në kontekste të caktuara historike, kanë zbatuar edhe forma të veprimtarisë së hapët të kontestimit të legalitetit të këtij pushteti. Si shembull do të përmend demonstratat e vitit 1968, ato të vitit1981 dhe protestave të viteve në vijim, demonstratat e vitit 1988, greva e përgjithshme e minatorëve të Trepçës dhe demonstratat e vitit 1989 kundër “Kushtetutës së Tankeve”, demonstrata e 1 Tetorit 1997 etj. që janë vetëm disa shembuj të kontestimit në mënyrë të hapur të legalitetit të pushtetit jugosllav.

Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në demonstratat të cilat botërisht e bënë të njohur se për shqiptarët pushteti jugosllav është pushtet ilegal dhe se nuk gëzonte asnjë legjitimitet.

Dhe lufta kundër pushtetit ilegal jugosllav mbi trojet tona arriti kulmin e vet në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit.

Edhe pse Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi na kanë konsideruar si “ilegal”, ne kemi qenë legal (të ligjshëm) në përputhje me vullnetin e popullit tonë.

Serbia vazhdimisht i ka konsideruar si “ilegale” të gjitha format e organizimeve politike që kanë kontestuar legjitimitetin e saj në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të trajtojë vendimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës si “vendim të njëanshëm dhe ilegal”, edhe pse legalitetin e këtij vendimi e legjitimoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Prandaj, nëse të kaluarën dikush ka përdorur gabimisht termin “ilegal” për grupet, për organizatat dhe për lëvizjet që kanë pasur për qëllim çlirimin e trojeve tona nga pushtuesit jugosllavë, tani është koha që të harmonizohet terminologjia dhe për këto struktura politike të përdoret mbiemri cilësor “çlirimtar”, sepse është term më adekuat me qëllimet që kanë pasur grupet, organizatat dhe lëvizjet që nga ripushtimi i trojeve tona nga komunistët jugosllavë. Legaliteti i këtyre grupeve, organizatave dhe lëvizjeve buron nga e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke aspiruar ngritjen e kualitetit të shërbimeve të cilat Zyrat…