Lewandowski: I kuptoj Messin dhe Ronaldon, por unë nuk tradhtoj

19 shtator 2021 | 15:48

Robert Lewandowski shënoi ndaj Bochumit golin e 301-të në ndeshjet zyrtare me Bayern Munchen. Në Bundesligë sulmuesi polak është në kuotën e 284 golave. 33-vjeçari është duke kaluar formën e jetës së tij. Në një intervistë për “Sport Bild Plus”, golashënuesi më i mirë tregoi për sekretin e golave dhe të ardhmen e tij.

Sa më shumë vite të kalojnë aq më i mirë bëheni, si shpjegohet?
Nuk e di (qesh). Unë punoj fort për të dhënë gjithmonë maksimumin tim me Bajernin dhe kombëtaren gjermane. Njeriu mëson me kohën dhe sa më i vjetër aq më i zgjuar bëhet, edhe ne futbollistët nuk bëjmë përjashtim këtu.

Cili është sekreti?
Nuk kam asnjë sekret, thjesht punoj gjithë kohës, stërvitem në maksimum. Stërvitja është fusha më e mirë për ta bërë këtë. Në ndeshje thjesht praktikon atë që ke mësuar gjatë javës. Me shëndet kam qenë mirë, ushqehem mirë dhe gjithmonë sigurohem që të pushoj mjaftueshëm. Për këtë duhet të falënderoj edhe gruan time Ana, e cila më ka ndihmuar jashtë mase.

Si është Roberti në rolin e babait?
Jo më i mirë se në fushë (qesh). Mundohem të jem sa më pranë fëmijëve dhe të kaloj sa më shumë kohë me ta. Puna na ka detyruar të jemi larg tyre me udhëtime çdo 2-3 ditë. Ndonjëherë më mungojnë shumë, por për fat të mirë teknologjia na ka bashkuar shumë. Ata rriten çdo ditë dhe tani janë fokusuar te shkolla. Me hapjen e stadiumeve do të kenë mundësi të rikthehen në ndeshjet e mia. Janë gjithmonë tifozë të veçantë.

Si do ta përshkruanit merkaton e verës?
Nuk më pëlqen të komentoj lëvizjet e tregut, nuk jam specialist për këtë fushë, por mendoj që në futboll këto janë gjëra normale. Lojtarët janë produkt të cilët kanë një çmim dhe mund të blihen dhe shiten. Janë gjëra normale.

U befasuat nga largimi i Messit?
Po, në fakt shumë pak veta e kishin menduar një largim të tijin nga Barcelona, skuadra ku u rrit dhe u bë një lojtar i madh. Të martën në Champions ishte një ndjesi e çuditshme kur nuk e pashë në fushën e lojës. Jo vetëm për mua besoj, por për të gjithë ata që ishin në fushë dhe në tribuna. Leo ishte emblema e klubit, por tani ka zgjedhur një të ardhme ndryshe dhe mendoj që nuk është diçka që duhet parë në mënyrë negative.

Po i Ronaldos?
Mendoj që janë e njëjta gjë edhe pse Mesi iku për arsye të tjera. Kristiano fitoj shumë në Torino duke lënë gjurmë dhe në Itali. Kërkoi një sfidë të re dhe mendoj që bëri zgjedhjen e duhur. Fakti që vazhdojnë të luajnë ende në nivele të larta është një tregues i profesionalizmit të tyre.

Me kombëtaren jeni në garë për t’u kualifikuar në Botërorin e ardhshëm, besoni se mund t’ia dilni?
Jemi në një grup të komplikuar. Anglia është favoritja, më pas është Shqipëria, ne dhe Hungaria. Të gjithë duam një biletë. Edhe pse jemi të tretët kemi bërë ndeshje të mira duke mundur Shqipërinë dhe barazuar me Anglinë. Mendoj që do të luftojmë deri në fund për një biletë edhe pse do të jetë e vështirë pasi ndeshjet e ardhshme do të jenë ndaj kundërshtarëve direkt. Do të ishte fantastike të luaja edhe një herë në Botëror me Poloninë, të shohim.

Të rikthehemi te kampionati, Bayerni duket se ka ndryshuar marsh dhe ju vazhdoni të shënoni rregullisht, sa larg mund të shkoni?
Duam kampionatin e 10-të radhazi. Sigurisht që gara në këtë sezon do të jetë e vështirë pasi rivalët janë forcuar shumë. Shikoni Volfsburgun, kanë katër ndeshje që fitojnë, më pas janë dhe Dortmundi me Lajpcigun, nuk do të jetë e lehtë. Shpresoj që në fund golat e mi ta ndihmojnë skuadrën për të fituar kampionatin.

Ku e shihni veten në të ardhmen?
Nuk e di, për momentin jam një lojtar i Bayernit dhe ndihem mirë këtu. Bayerni më ka dhënë gjithçka që kam pasur nevojë. Falë tyre fitova Champions-in dhe kjo nuk është pak. Por të ardhmes nuk i dihet, të shohim se çdo të ndodhë. Gjithsesi më duhet ta pranoj që këtu ndihem si në shtëpi, ashtu si edhe familja ime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
10 persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur në 24…