Liberalizimi i vizave, më së shumti do të pësojë sektori privat

04 janar 2024 | 13:16

Njohësi i çështjeve ekonomike, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se nga liberalizmi i vizave më së shumti do të pësojë sektori privat në Kosovë.

“Në aspektin ekonomik besoj se do të ketë ndikim te sektori privat në Kosovë. Duhet të pranohet e vërteta që Kosova nuk u zbraz vetëm nga ky vit, por ka filluar me vite të tëra. Të fundit që po braktisen nga Kosova nuk po ikin vetëm të papunët dhe skamnorët, por po largohen edhe familje me një stabilitet ekonomik dhe social, sepse e kanë brengën e edukimit, të shëndetësisë, e kanë brengën e sigurisë së perspektivës dhe shumë mënyrave të tjera të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për këtë arsye mendoj se në një aspekt kohor afatshkurtër do të kemi një tentativë për t’u larguar nga Kosova. E tëra kjo do ta ketë koston e vet ekonomike jo vetëm që do të ketë nevojë sektori privat, por këta që mendojnë për t’u larguar do të krijojnë edhe humbje të shumta ekonomike dhe ky do të jetë një dëm”, ka thënë Gërxhaliu për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se ka munguar një kampanje vetëdijësuese e institucioneve të vendit që t’i ndalin të rinjtë këtu.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që Evropa nuk është ajo që ka qenë më parë dhe sot disa shtete evropiane janë në një recension ekonomik dhe kjo e dëmton pozitën e tyre. Në anën tjetër, besoj se duhet të kontrollohet komunikimi i pushtetarëve të Kosovës të cilët Kosovën e paraqesin si një shtet të përkohshëm. Çdo ditë kemi paralajmërime për luftë dhe për konflikt dhe jo për avancim të dialogut dhe stabilitet politik, dhe kur këto fjalë dominojnë atëherë vetvetiu krijohet një panik apo një ankth i cili i bën t’i mendojnë qytetarët të largohen nga Kosova. Duhet shumë punë për të bërë për të qëndruar në Kosovë. Krejt kësaj kur i shtohet një fakt tjetër që ne kemi zyrtarë shumë të lartë qeveritarë të cilët e argumentojnë migrimin e kosovarëve si kinse edhe evropianët migrojnë. Besoj është një prononcim shumë i rrezikshëm. Ky gabim është i rrezikshëm nga fakti se vendet evropiane nuk e kanë armik Serbinë siç e ka Kosova dhe nuk e kanë një akademi të shkencave serbe siç e ka Serbia e cila harton drafte dhe strategji për ta zbrazur Kosovën, sepse për armiqtë vetëm Kosova e zbrazët është Kosovë e mirë dhe e dëshiruar. Për këtë arsye duhet të kemi kujdes me deklaratat dhe të punohet më tepër që të kthehet besimi i humbur nga qytetarët e Kosovës për të jetuar në Kosovë”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se në një shtet i cili ka një orientim më shumë social, tregon për mungesë vizioni për një qëndrueshmëri ekonomike dhe një garanci drejt ardhmërisë.

“Për këtë arsye e pranuam apo jo të vërtetën, Kosova është shndërruar më tepër në një shtet social sesa në një shtet zhvillimor. Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me thirrje publike për subvencionim të pajisjeve efiçente apo për disa skema sociale, por në përgjithësi orientimet buxhetore për vitin 2024 janë të drejtuara në këtë drejtim. Kjo është një qasje e cila nuk garanton stabilitet ekonomik dhe në qoftë se një shtet nuk ka stabilitet ekonomik dhe një vizion për stabilitet ekonomik, është topike të arrihen stabiliteti social, politik dhe të përshpejtohen proceset integruese e të jemi të përshpejtuar në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Një politikë e tillë është më tepër ad-hoc sesa zhvillimore. Lind gjithmonë pyetja çka kur të shpenzohen këto ndihma të ofruara dhe a mund të mbijetojë shteti vetëm me skema sociale? Duhet vërtet të jemi të orientuar drejt një ekonomie me të zhvilluar. Pra, një ekonomi ku partneriteti me sektorin privat duhet të jetë shumë më aktiv dhe konstruktiv. Paramendoni të gjitha këto mjete të ishin orientuar në projekte të ndryshme në mbështetje të sektorit privat me siguri se do të kishim një stabilitet social shumë më të madh. Do të kishim punësim, eksporte, përmirësim të imazhit dhe jo ikje nga Kosova, por qëndrim të të rinjve në Kosovë. Prandaj, tentativa për barazi në varfëri besoj është qasja më e gabuar që e dëmton Kosovën sot, por që do ta ketë efektin negativ edhe në të ardhmen. Prioritet i prioriteteve gjithmonë duhet të jetë dhe është koha kur duhet të kuptohet rëndësia e zhvillimit ekonomik, një zhvillim ekonomik i ndërtuar në partneritet të mirëfilltë dhe jo me arrogancë të pushtetit përballë sektorit privat”, ka thënë Gërxhaliu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GJILAN Adresa: Rruga e Prishtinës, Euro Diesel: 1.27€ Benzinë: 1.19€…