Libri “Lamtumirë Baca Adem”, një libër për dhimbjen tonë krenare

20 janar 2019 | 17:08

Lulëzim ETEMAJ

Më 26 korrik 2018, katër muaj para se të mbusheshin 60 vite nga burgosja e parë e 19 nëntorit 1958 u shua fizikisht Adem Demaçi. Një pjesë nga dhimbja e madhe në përmasa gjithkombëtare, që shkaktoi shuarja e tij, e nderimit dhe respektit të manifestuar me këtë rast ndaj tij, përkatësisht pjesën e tyre artistike të shkruar, të karakterit ekspresionist, duke qenë se arti është vetë hija jonë, përgjithësisht hija e njeriut, të cilën edhe po deshëm nuk  mund ta shmangim në asnjë kohë dhe rrethanë, Selatin Novosella e ka përzgjedhur me shumë kujdes, dashuri ndaj Bacës Adem dhe shije të hollë dhe të lartë artistike, përmbledhur brenda librit “Lamtumirë Baca Adem”, dhe botuar pas kaluar as tre muaj, në fillim të tetorit të vitit të kaluar, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Libri hapet me testamentin e Bacës Adem Demaçi, të titulluar “Idetë nuk vdesin kurrë”, për të vazhduar me epitafin e studiuesit të folklorit dr. Zymer U. Neziri, të shkruar në ditën e ndërrimit jetë të Demaçit, me titull: “Baca Adem, ti ishe vetë atdheu”.

Autori i librit, Selatin Novosella, në vijim “Në vend të hyrjes” (f. 11-21), sjell shkrimin e titulluar: “ADEM DEMAÇI VDIQ I QETË”, që për bazë e ka thënien shumë kuptimplote të të birit të Bacës Adem Demaçi, Shqiptarit, “baba vdiq i qetë”, thënë autorit dhjetë minuta pasi kishte pushuar së rrahuri zemra e madhe e Bacës Adem.

Në këtë shkrim autori, si njohës i rryer i jetës dhe veprës së Demaçit, me një përkushtim të veçantë i ka sjellur 11 shpjegime të argumentuara përse mund të thuhet se Adem Demaçi vdiq i qetë.

E gjithë lënda vijuese e librit është seleksionuar mbi bazën e përafrisë përmbajtësore dhe ndarë në tre krerë. Për dallim të krerëve tjerë, kreu i parë i këtij libri përfshinë tri pjesë kryesore, që mund t’u thuhet edhe nënkrerë.

Në pjesën e parë të këtij kreu, të titulluar “Mbledhja komemorative për vdekjen e Bacës Adem Demaçit”, (f.23-34), autori sjellë atmosferën e mbledhjes komemorative, të karakterizuar nga dhembja dhe nderimi, të mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 27 korrik 2018, përmes fjalimeve komemorative të Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, të nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Vasilika Hysi, dhe të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Pjesa e dytë e këtij kreu, e titulluar: “Ceremonia shtetërore për varrimin e Bacës Adem”, e organizuar në Sheshin “Skënderbe” në Prishtinë të njëjtën ditë, sjellë tek lexuesit fjalimet mortore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të kryetarit të partisë Bashkimi Demokratik për Integrum (BDI), Ali Ahmetit, si dhe fjalimin e të bijës së Bacës Adem, Abetare Demaçit, me titull “Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët”.

Pjesa përmbyllëse e këtij kreu (f. 51-55), e titulluar “Ceremonia e varrimit të Bacës Adem Demaçi”, përmban fjalën lamtumirëse të autorit të këtij libri, Selatin Novosella, të lexuar në cilësinë e përfaqësuesit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës në ceremoninë e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Dhembja e madhe për shuarjen fizike të Bacës Adem Demaçi, dashuria për të, mirënjohja, respekti i thellë dhe nderimi për jetën, përkushtimin njerëzor dhe kombëtar, për të gjithë sakrificën e tij jetësore, kjo është shtylla e përbashkët e të gjitha fjalimeve mortore, të mbajtura nga krerë shtetërorë dhe politikë shqiptarë.

Kreu i dytë i librit, i titulluar: “Tubimet – homazhet për Bacën Adem Demaçi” (f. 57-114) përmban të gjithë atë që u tha në tubimet homazhe për Bacën Adem Demaçit, duke filluar me tubimin homazh të mbajtur më 8 gusht 2018 në Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës. Hydajet Hyseni, kryetar i kësaj shoqate, në fjalimin e mbajtur me këtë rast flet për veprën jetësore të simbolit të rezistencës, njëherit prijës të irredentizmës shqiptare, Bacës Adem Demaçi, të cilën e cilësoi si kurajëdhënëse dhe inspiruese për të gjithë të burgosurit politik shqiptarë, posaçërisht për ata që qëndruan në burgje bashkë me Bacën Adem.

Ashtu si në tubimin e mbajtur nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës në Prishtinë, edhe në tubimet tjera, që mbahen nga Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren, më 2 shtator 2018, në Tiranë nga Federata Universale e Paqes- Këshilli Shqiptar i Paqes, më 21 shtator 2018, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, më 21 shtator në Prishtinë, në fjalimet që u mbajtën nga përfaqësuesit e tyre, njëherit edhe bashkëveprimtarë dhe bashkëmendimtarë të Bacës Adem si Meriman Braha, Ali Lajçi dhe Abdyl Kadolli, u lartësua gjithashtu figura emblematike e Bacës Adem. Detajet dhe këndvështrimet e ndryshme të këtyre fjalimeve hedhin më shumë dritë si në veprën jetësore, atdhetare ashtu dhe atë letrare të Bacës Adem.

Kreu përmbyllet me filmin dokumentar, “I pathyeshmi- Adem Demaçi”, të regjisorit Valon Bajrami, prodhim i RTK-së.

Ky film përfshinë periudhën kohore nga viti 1970 deri në vitin 1990, ku përmes rrëfimeve të të bashkëburgosurve në Stara Gradishkë hidhet dritë shtesë mbi figurën e Bacës Adem, të cilën e karakterizon qëndresa dhe stoicizmi. Dokumentari, siç thotë autori, Valon Bajrami, ishte paramenduar t’i bëhet befasi Bacës Adem Demaçi, por ja që kalimi i tij në amshim ua kishte pamundësuar këtë.

“Shkrime të veçanta, telegrame dhe përshtypje në ‘Librin e Zisë’, me rastin e vdekjes së Bacës Adem Demaçit”, kështu e ka titulluar autori Selatin Novosella kreun e tretë (f. 115-325), të fundit, njëherit më të vëllimshmin, të librit. Kreun e hap shkrimi i akademik Rexhep Qosjës me titull: “Mandati i tij, mandat i gjithëkohshëm”, si cili pasohet nga shkrimi “Filozofia dhe etika politike e Adem Demaçit”, të profesorit dhe diplomatit Sabri Kiçmari dhe shkrimi i publicistit Blerim Shala me titull “Adem Demaçi dhe ne”.

Nga akademik Rexhep Qosja, Baca Adem me këtë rast cilësohet si mandatar i gjithëkohshëm në historinë e popullit tonë si mësues historik, politik, kulturor, kombëtar e moral i rinisë shqiptare në Kosovë, të cilës si askush tjetër ia mësoi qëndrimin e drejtë, të papërkulshëm, të dinjitetshëm, që nuk e përkulin levërditë, premtimet, kërcënimet, burgjet.

Sabri Kiçmari, frymën politike të krijuar nga Baca Adem e cilëson si frymë të orientuar drejt tri ideve themelore: idesë së kombit, lirisë dhe barazisë. Ndërkaq mbështetjen e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe përfaqësimin e saj e sheh si një rrjedhojë logjike të filofozisë politike të Bacës Adem Demaçi.

Në shkrimin e tij “Adem Demaçi dhe ne”, Blerim Shala trajton kompleksitetin e figurës së heroit Adem Demaçi për të arritur gjer tek konkludimi i thukët: Liria e të gjithë neve, dhe shtet i Kosovës, nuk kanë si të paramendohen pa të.

Në pjesën përmbyllëse të këtij kreu janë përmbledhur 21 telegramet e personaliteteve të ndryshme, shtetërorore, politike, të artit dhe kulturës, duke filluar nga Sali Berisha, Jakup Krasniqi, Ismail e Helena Kadare, Azem Syla, Bajram Kosumi, Edi Rama, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, gjeneral Kudusi Lame, Xhavit Haliti, Albin Kurti, Myftiu Naim Tërnava, Imzot Dodë Gjergji, Lulzim Basha, Agim Vinca, Pandeli Majko, Bedri Islami, Shaip Beqiri, Izmi Zeka, Sonja Biserko dhe Latinka Peroviq.

Pjesa e fundit e këtij kreu përmbledh 861 përshtypje të qytetarëve të shkruara në “Librin e Zisë”. Ky numër sado që në dukje i madh, nuk është e gjitha, por vetëm një pjesë e përshtypjeve. Zgjedhja e fjalëve, dhembja, emocioni, mirënjohja e shprehur dhe vlerësimi i lartë i jetës dhe veprës së Bacës Adem, kjo është ajo që i karakterizon këto përshtypje.

Sipas fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe, emri Bacë është një emër, me të cilin në disa krahina të Shqipërisë Veriore vëllai i vogël thërret vëllanë e madh ose fëmijët thërrasin babanë a xhaxhanë…

Për ta shprehuar vlerësimin e lartë dhe respektin ndaj jetës dhe veprës së tij në shërbim të Kombit, të drejtave njerëzore dhe kombëtare të bashkëkombasve si dhe përgjithësisht vlerave universale të njerëzimit, me emrin Bacë, edhe në këtë libër, Adem Demaçi është thirrur 916 herë. Duke qenë se libri në përgjithësi i ka 328 faqe, i bie mesatarisht 3 herë për çdo faqe libri. Janë 714 të nënshkruar të “Librin e Zisë” që Adem Demaçit i janë drejtuar me thirrjen Bacë. Me emrin Bacë, Adem Demaçit i drejtohen edhe drejtues të institucioneve të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës, ish- themelues dhe drejtues të UÇK-së, lider politikë, personalitete të kulturës dhe të artit nga bota akademike etj., si Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Azem Syla, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni, Fatmir Limaj, gjenerali Kudusi Lame, akademik Rexhep Qosja, profesor Agim Vinca, Isa Mustafa, Marjan Demaj, Myftiu Naim Ternava dhe kuptohet, pashmangshëm, edhe vetë autori i librit, Selatin Novosella.

Për të vënë në pah veçantin e tij në çdo aspekt, Baca Adem Demaçi është i vetmi personalitet publik në Kosovë të cilit qytetarët shqiptarë, jo vetëm në Kosovë, por nga të gjitha vendet e banuara me shqiptarë, i referohen masovikisht me një epitet të tillë nderues.

Hero, ky është emri tjetër, titulli, epiteti dominant në libër, me të cilin personalitete dhe qytetarë të ndryshëm i janë referuar Bacës Adem Demaçi. 121 herë e quajnë hero Bacën Adem bashkëveprimtarë të ndryshëm, bashkëqendrues në burgje, qytetarë të rëndomtë, të të gjitha moshave, gjinive dhe kategorive shoqërore, politikanë e liderë institucionalë e politikë të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë dhe nga e gjithë hapësira shqiptare. Krahas Presidentit Ilir Meta, Kryekuvendarit Kadri Veseli, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, Kryekuvendarit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, janë edhe 79 bashkëkombas të tjerë, të nënshkruar në “Librin e Zisë”, të cilët Adem Demaçin e konsiderojnë hero.

Prijës, frymëzues, kolos, humanist, janë vlerësimet tjera të shumta për Bacën Adem që i hasim në libër.

Në funksion të përfundimit të këtij recensioni, do të kthehem edhe një herë në fillim të librit, konkretisht tek 11 motivet e sjellura nga autori pse mund të thuhet se Baca Adem vdiq i qetë. E shoh me interes të posaçëm t’i veçoj dy prej tyre; atë nën pikën 2 dhe tjetrën nën pikën 6, për faktin e lidhshmërisë së fuqishme mes vete, përkatësisht përmbushjes së të dytës nga e gjashta.

Përderisa nën pikën 2 autori e sjellë si argumentim formimin në shtator të vitit 1963 të organizatës së njohur irredentiste Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), me të cilën Baca Adem do të shndërrohejë në bartës dhe njëkohësisht prijës shpirtëror të irredentizmës shqiptare, në Nenin 1 të Statutit të cilës thuhej, se “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarëve të cilët gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare, të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë”, kurse nën Nenin 2 të këtij Statutit thuhet se “Lëvizja jonë, për të mbërrijt qëllimin e lartpëmendur, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore- prej atyne politiko-propagandistike- mjete paqësore, e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore- mjete jopaqësore, në pikën 6, pas 35 viteve të kaluar nga koha e themelimit të Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), e gjejmë Demaçin një vitin 1998 në funksionin e përfaqësuesit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj të armatosur, e cila me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës pa asnjë dilemë që ka hapë perspektiva të reja, realiste, të realizmit të tërësishëm të qëllimit programor të Lëvizjes së formuar nga Baca Adem Demaçi.

Autori Selatin Novosella, bazuar në krijimtarinë e tij voluminoze të karakterit shkencor si dhe të atij publicistik kushtuar Bacës Adem Demaçi, nuk është vetëm njëri nga bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët që për 55 vite ishte pa shkëputur pranë tij, por ai është edhe jetëshkruesi më i përkushtuar dhe më i njohur i veprës dhe jetës së Bacës Adem.

Në librin e tij të fundit “Lamtumirë Baca Adem”, që po e promovojmë sot, autori ka sjellë për lexuesit me një kujdes për t’u admiruar, me kreativitet dhe origjinalitet, të gjithë atmosferën, emocionet  e shkaktuara nga dhimbja jonë gjithëkombëtare- dhimbja jonë krenare, të gjithë atë që u tha nga ata që u përfshinë në këtë libër me ato çfarë shkruan e me të gjithë atë që e thanë me rastin e ndarjes fizike nga Baca Adem.

Autori Selatin Novosella, përmes kësaj përmbledhjeje monografike, ka dhënë një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare, duke ju ofruar studiuesve të kësaj lëmie një libër të domosdoshëm për t’iu referuar gjatë hulumtime të reja si të karakterit shkencor historik poashtu edhe të atij politik, sociologjik e kulturor.

E përgëzoj nga zemra për këtë libër të ri kushtuar Bacës Adem, Bacën sonë që e fitoi përjetësinë ngase, krahas të gjitha angazhimeve tjera të parreshtura dhe të pa shoqe si në rrafshin politik, kulturor e human, u bë bartës krejt i veçantë dhe njëkohësisht edhe simbol i përkushtimit këmbëngulës që, siç është thënë bukur në testamentin e shkruar prej tij, njerëzit të mësohen të shkojnë prapa ideve, të mos shkojnë vetëm prapa njerëzve, sepse njerëzit mund të burgosen, mund të sëmuren, mund të vdesin, kurse idetë nuk vdesin kurrë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës po përballet me presione ndërkombëtare për heqjen…