Liburn Aliu: Për masakrën në burgun e Dubravës ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të gjallë

21 maj 2019 | 12:35

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës me rastin e 20-vjetorit të kësaj masakre, ka thënë se masakra e Dubravës për nga tmerret dhe mizoritë nuk dallon nga masakrat e tjera dhe vuajtjet e popullit tonë.

“Të veçantë këtë masakër e bën vendi dhe mënyra se si ndodhi masakra në burg ndaj të burgosurve të paarmatosur dhe të mbyllur në një hapësirë katrore prej 12-13 hektarë në cepet e të cilit janë kullat e vrojtimit. Kjo hapësirë rrethohet me mur që është 4-5 metra i lartë. Brenda kësaj hapësire gjendeshin 1000 të burgosur të cilët në këto ditë maji të vitit ‘99 u goditën dhe u gjuajtën nga katër anët. Cilindo lëvizje në përpjekje për t’i shpëtuar gjuajtjeve të vazhdueshme nga serbët, prapë gjendeshim para njërës nga Kullat e Vrojtimit nga të cilat gjuhej vazhdimisht”, ka deklaruar deputeti Aliu në seancën e Kuvendit.

Ai ka theksuar se këtë rrëfim e bën më të lehtë krenaria që ndjejnë për guximin,vullnetin dhe vendosmërinë e atyre djemve që kanë rënë.

“Këtyre muajve po shënojmë 20 vjetorin e shumë ngjarjeve dhe masakrave të cilat i paraprinë çlirimit të Kosovës. Është e rëndë të flasësh për masakrat dhe vuajtjet e popullit tonë në rrugën e tij për çlirim. Është e rëndë të përshkruash vuajtjen dhe humbjen e jetëve të të rinjve të shumtë në këto beteja dhe masakra”, është shprehur Aliu.

Ai ka thënë se për masakrën në burgun e Dubravës ka shumë fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të gjallë.

“Të gjithë këta të burgosur kanë qenë të regjistruar në dokumente zyrtare. Të gjithë kanë pas fletë-arreste, aktakuza ose kanë qenë të dënuar. Shumica prej tyre janë vizituar dhe regjistruar nga organizata ndërkombëtare e Kryqit të Kuq. Gjatë tërë kohës deri në ditën e masakrës është bërë numërimi dhe rinumërimi i të burgosurve nga organet zyrtare, sipas procedurave të parapara”, ka theksuar Aliu.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
India nuk është vetëm një vend me 330 milionë perëndi,…