Liderët botërorë do t`i ndihmojnë Brazilit në fikjen e zjarreve në Amazonë

26 gusht 2019 | 13:02

Liderët e Grupit të Shtatë vendeve më të idustrializuara (G7) Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, kanë thënë se janë duke u përgatitur për t’i ndihmuar Brazilit në të përballurit me zjarret në rajonin e Amazonës dhe për të rregulluar dëmet, teksa dhjetëra mijëra ushtarë janë bërë gati për të luftuar flakët që kanë alarmuar planetin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se liderët e samitit janë afër arritjes së një marrëveshjeje rreth asaj se si të mbështesin Brazilin dhe ka thënë se marrëveshja do të përfshijë mekanizma teknikë dhe financiarë “në mënyrë që të ofrohet ndihmë në mënyrë sa më efikase”, transmeton agjencia e lajmeve, “The Associated Press”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se shteti i saj dhe të tjerëve do të bisedojnë me Brazilin për shpyllëzimin në rajonin e Amazonës, pasi të shuhen zjarret.
“Natyrisht ky është territor brazilian, mirëpo ne kemi pyetje për këtë rajon, pyetje të nivelit global”, ka thënë ajo.

Papa Françesku po ashtu u është bashkuar zërave shqetësues për zjarret në Brazil, i cili gjendet në kufi me vendin e tij të lindjes, Argjentinën, dhe u ka bërë thirrje njerëzve të luten në mënyrë që “ato të kontrollohen sa më shpejt që është e mundur”.

Ai i ka thënë një turme në sheshin Shën Petri se “ne të gjithë jemi të shqetësuar” për zjarret në Amazonë. Ai po ashtu ka paralajmëruar se “mushkëria e gjelbër është jetike për planetin tonë”.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, “Twitter” se ai ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se Izraeli do të dërgojë një aeroplan të specializuar për të ndihmuar në operacionin e luftimit të zjarreve.

Të premten, Bolsonaro ka njoftuar për dërgimin e 44,000 ushtarëve për të luftuar zjarret, mirëpo vetëm disa qindra prej tyre tashmë janë dërguar në rajonin e Amazonës.

Agjencia satelitore e këtij shteti ka regjistruar më shumë se 41,000 zjarre në Amazonë gjatë këtij viti, derisa më shumë se gjysma kanë nisur vetëm këtë muaj./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhudistja e Kosovës, Majlinda Kelmendi është mposhtur nga ish-kampionia e…