Liderët politikë të Kosovës

05 janar 2020 | 14:37

Belul BEQAJ

Liderët janë strumbullar të politikëbërjes. Është fakt se për domethënien e kësaj shprehje ka po aq interpretime sa ka studiues të këtij fenomeni, në përjashtim të Kosovës. Krahas dallimeve, ekzistojnë edhe disa karakteristika për të cilat pajtohen njohësit më të mirë të liderizimit. Por, shpjegimi i tyre për domethënien e liderizimit dallon nga të kuptuarit e zakonshëm në Kosovë.

Qytetarët e bombarduar kryesisht nga sjelljet ditore të kuaziliderëve dhe mediave joprofesionale, liderët i paramendojnë me aftësi të jashtëzakonshme, mbase hyjnore! Shoqëria kosovare është ushqyer me paragjykime, predikime, legjenda, mite, ku liderët janë përshkruar si aktorë kryesorë, trima, heronj, personalitete me aftësi mbi mesatare. Këto paragjykime kanë një dozë të caktuar të mistifkimit dhe fshehtësisë dhe nuk mund të paraqesin burim të besueshëm të informacioneve për të vërtetën. Dhe, si të tilla, nuk japin shpjegim të dukurive të caktuara të ndërlidhura me rolin e liderit.

Për të qenë lider i suksesshëm nuk duhet asnjë aftësi, virtyt, apo shkathtësi e mbinatyrshme, ndonëse ka edhe lider që e kanë karizmin si dhunti të lindur. Prandaj, lideri nevojitet që të ketë, krahas vizionit, veçori të kompletuara integrative, edukative, fizike, shpirtërore, mendore, emocionale, sociale dhe morale. Liderët dallojnë nga personat e zakonshëm për nga veçoritë dhe aftësitë e tyre specifike, sjelljet e tyre dhe stilet e tyre, veçmas në situata të jashtëzakonshme.

Fundja, edhe nga dëshira, energjia dhe motivi për të udhëhequr pa të cilat nuk mund të bëjë më shumë se çdo individ tjetër e i zakonshëm. Derisa dëshira për të udhëhequr është veçoria e fundit e liderëve të zakonshëm, kjo është veçoria e parë e liderëve politikë kosovarë!

Studimet e kryera kohët e fundit dëshmojnë se liderë më të suksesshëm politikë janë ata që marrin vendime të guximshme, të drejta dhe me kohë. Pa dyshim se kjo aftësi është një ndër aftësitë dominuese të liderëve të cilët marrin vendime të guximshme siç ishte ideja e korrigjimit të kufirit, tarifës, demarkacionit, bashkimit kombëtar, dialogut, deportimit të dhunshëm të shtetasve turq në Turqi, dorëheqjeve. Por, duke i analizuar pasojat negative të cilat duhet të jenë më të vogla karshi rezultatit pozitiv të vendimit, na mbetet neve, qytetarë të nderuar, që pas 6 tetorit 2019 ta vlerësojmë vendimmarrjen e sovranit për liderët politikë. Ne duhet t’i vlerësojmë pasojat e vendimeve që Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje. Pse rreth 17 % të qytetarëve janë në gjendje të mjerimit, pse shkalla reale e papunësimit është pesëfish më e lartë se në BE, pse rreth 40 000 shtetas të Kosovës po heqin dorë nga shtetësia, pse jemi shndërruar në kampion regjionalë të korrupsionit, pse mbetëm të izoluar, pse partitë janë shndërruar në institucione të punësimit, pse liderët nuk i kanë përmbushur pritjet e qytetarëve. Sa Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe të tjerët përpos pasojave te krijuara. Mund ta dëmtojnë edhe qëllimin e vizionit për të cilin kanë përfituar besimin!

Fatmirësisht, zgjedhjet nuk i fituan ata liderë politikë vendimet e të cilëve vazhdimisht e degraduan dhe e boshatisën shtetin e Kosovës nga të rinjtë të cilët po e ndiejnë vetën më të sigurt jashtë shtetit të Kosovës sesa në shtetin e Kosovës!

Për ta merituar votën qytetare, liderët kosovarë është dashur për t’i përvetësuar ithtarët e vet në saje të realizimit të misionit dhe vizionit për interesa të përbashkëta. Ideja dhe veprimet për t’u larguar nga Kosova janë në kundërshtim me interesat e përbashkëta. Vizioni për të ardhmen s’duhet të paraqitet si qëndrimin për të ardhmen e dëshiruar, por duke nisur nga realiteti i hidhur! Vizionin euroatlantik duhet përshkruar çfarë mund të jetë realisht. Atë çfarë dëshirojmë dhe mund të bëhet. Qëllimi i vizionit nuk është vetëm përshkrimi i të ardhmes së synuar, por edhe motivimi që e tërë energjia reale të drejtohet në rrugën e realizimit të qëllimeve publike. Gjendja reale gjatë njëzet vjetëve është dëshmi se shumë votues kanë bërë gabime duke zgjedhur liderët e papërgjegjshëm. Sikur të mos kishin bërë gabime zgjedhësit, nuk do të kishim sot në pushtet gjoja se idealistët që kanë përfunduar si materialistë!

Prandaj, mbështetja e votuesve për liderët duhet të ndikojë në shembullin e tyre për t’u identifikuar me përkushtim ndaj interesit publik, qëllimit të caktuar drejt arritjes së rezultateve të pritura duke dëshmuar përgjegjësi për veprimet e ndërmarra, e jo si deri më sot. Meqë liderët kosovarë politikë kryesisht deklarohen si pro amerikanë, është shumë me rëndësi të kuptojnë, të veprojnë dhe të sillen sikur njëri nga ish-themeluesit e ShBA-së, Benjanim Franklini, i cili, pas vërejtjeve shqetësuese të nënës, se do ta dëmtojë shëndetin duke punuar shumë në shërbim të publikut. Duke reaguar për shqetësimin e saj, pse aq shumë është i përkushtuar ndaj shërbimit publik, i shkruan nënës: “Më me ëndje dëshiron që amerikanët të thonë se kam jetuar si politikan i dobishëm, apo se kam vdekur i pasur?!”

Shkruar enkas për gazetën “Epoka e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ftuara speciale e pjesës së fundit në mbrëmjen e…