Lideri i PDK-së: Është ulur numri i nxënësve për shkak të emigrimit masiv

27 shkurt 2023 | 13:39

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, të cilës, sipas tij, sikur shumë prej shkollave të tjera në Kosovë, dy vitet e fundit i është ulur numri i nxënësve për shkak të emigrimit masiv.

“Gjatë bashkëbisedimit, mësimdhënësit shprehën shqetësimin e tyre me trendin e dy viteve të fundit, ku kjo shkollë ka humbur rreth 60 nxënës, apo dy klasë. Situata bëhet edhe më alarmante kur shohim shifrat në nivel vendi, të cilat na tregojnë se për dy vite, në arsimin parauniversitar të Kosovës ka mbi 16 mijë nxënës më pak dhe plot 47 shkolla të mbyllura. Çdo ditë, të rinj të talentuar e me potencial të jashtëzakonshëm po e braktisin vendin, çdo ditë prindër profesionistë po i lëshojnë vendet e punës, në mungesë të një të ardhmeje më prosperuese për fëmijët e tyre në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se sot është kritike që të kuptojmë dy gjëra.

“Qytetarët nuk mund t’i mbajmë në vend me fjalime të bukura e premtime të mëdha. Dhe e dyta, ne duhet të veprojmë urgjentisht dhe me prioritet që të rikthejmë epokën e zhvillimit në vendin tonë. Kjo është beteja që duhet ta fitojmë – dhe duhet ta fitojmë së bashku, duke lënë mënjanë interesat partiake dhe politikën ditore. Ky duhet të jetë misioni ynë, për çdo parti, për çdo politikan dhe për të gjithë shoqërinë tonë”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të angazhohet për të arritur këtë synim. “Bashkë, edhe me mësimdhënësit e përkushtuar dhe atdhedashës, do ta kthejmë shpresën dhe besimin në Kosovë”, ka deklaruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi ka regjistruar fitoren e 17-të me radhë, pasi që…