Liga Unike, ndër gjërat më të mëdha që i ka ndodhur basketbollit mbarëshqiptar

29 shtator 2020 | 18:43

Një nga basketbollistët më të dalluar shqiptar në vitet e fundit është Gerti Shima. Ai ka luajtur për Bashkimin, Pejën dhe Sigal Prishtinën në Kosovë, kurse për Valbonën dhe Tiranën në Shqipëri.

Shima ka folur për krijimin e Ligës Unike ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.

“Është një nga gjërat më të mëdha, që mund të them se i ka ndodhur basketbollit mbarëshqiptar. Kam shumë, shumë vite që në fillimet e karrierës sime, që dëgjoj për këtë ligë dhe më në fund u arrit në vitin 2020”, është shprehur Shima për faqen zyrtare të FBK-së. “Besoj se kjo ligë do t’i japë shumë basketbollit nga të dy krahët sepse do të ketë më shumë ndeshje. Do t’u jepet mundësia shumë lojtarëve vendorë të luajnë dhe ta marrin përvojën e duhur për më vonë në gara më të larta me klube apo dhe me kombëtaren”, ka shtuar Shima.

Ai flet edhe se kush mund të përfitojë më shumë nga Liga Unike. “E kam thënë dhe vazhdoj të them që nga krijimi i kësaj lige do të përfitojë më shumë Shqipëria nga të gjitha anët. Besoj se interesimi nuk ka për të munguar pavarësisht situatës që ndodhemi. Edhe në këtë rast do të marrim mësime nga skuadrat e Kosovës nga ana organizative, si nga ekipet, po ashtu edhe nga tifozët. Gjithashtu, kryesorja edhe në afrimin e sponsorëve”, ka deklaruar Shima, i cili ka luajtur për shumë vite në Kosovë dhe ishte i dashur shumë nga tifozët.

“Më mungon shumë Kosova dhe e kujtoj me nostalgji, sepse kam kaluar jo më pak se gjashtë vjet të suksesshme”, ka përfunduar basketbollisti i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sot u konstituua Grupi…