Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit

29 qershor 2020 | 20:45

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të hënën gjatë adresimit ndaj publikut se një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit. Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor. Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë “që në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar”.

“A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtruar pyetje: Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?

“Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se: Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë”, është shprehur presidenti i vendit.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Hashim Thaçi në fjalimin e tij pas publikimit të…