Ligji për Zgjedhjet, Tahiri: Janë përfillur 95 për qind rekomandimet dhe sugjerimet e Unionit Evropian…

08 qershor 2023 | 12:49

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, para se të hedhet në votim ky projektligj ka ndarë tri momente që janë të rëndësishme për publikun dhe deputetët e Kuvendit lidhur me ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ai ka theksuar se kjo nuk është reformë e thellë zgjedhore politike, mirëpo kjo reformë i ka përfillë 95 për qind rekomandimet dhe sugjerimet e Unionit Evropian, Ambasadës Amerikane, organizatave joqeveritare dhe akterëve tjerë.

Fjalimi i plotë i Tahirit:

Dua t’i ndajë tri momente që janë të rëndësishme për publikun dhe deputetët e Kuvendit lidhur me ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet:
E para, një mësim që kemi marrë nga ky proces, është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, për një të mirë publike, për një reformë ato i tejkalojnë partitë e veta, interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit politik dhe demokratik një ligj, i cili e ka konsensusin e plotë. Dhe, jo sikur në situatën që jemi sot, e cila e ka çuar Kosovën në një drejtim të një subjekti politik dhe të një lideri politik.
E dyta, ka të bëjë me ndryshimet. Për ne është shumë e rëndësishme që janë eliminuar disa probleme që janë teknike, por që e kanë penguar demokracinë në vend. Heshtja zgjedhore, gjithmonë është keqpërdor, dhe heshtja zgjedhore tani vlen vetëm prej hapjes së kutisë së votimit.
Sa i përket votës preferenciale, është debatuar shumë se a duhet të jenë dhjetë në listë, apo jo. A e konfuzion kjo votuesin apo jo? A e ndihmon demokracinë apo jo? Vendimi është marrë mbi një arsyetim të thjeshtë, duke qenë se votimi, respektivisht numërimi i votave për parti ndodhë në vendvotim dhe mbyllet kutia. Pastaj të gjitha kutitë e votimit shkojnë në një qendër komunale, ku mediat, shoqëria civile, vëzhguesit e partive politike, komisionarët për ta vëzhguar numërimin do të anashkalohen, një katrahurë e demokracisë në Kosovë, që ka të bëjë kryesisht me tjetërsimin e votës brenda partisë. Duhet t’u tregojmë qytetarëve drejt, kemi vendosur mos të numërohen në klasë, sepse të gjithë dyshojmë që diku manipulohen votat në ndonjë klasë.
E treta, ka të bëjë me motrat dhe vëllezërit tanë në diasporë. Votimi në diasporë tashmë bëhet me postë dhe fizikisht në përfaqësitë tona diplomatike. Këtë e kemi bërë bashkërisht të gjitha partitë politike.
Një padrejtësi e madhe që na është bërë gjatë këtij procesi lidhet drejtpërdrejt me ankesën. Më parë, ankesa ka qenë 24 orë, tashmë është 48 orë, që i bie dy ditë të shikojë mos ka ndonjë manipulim.
Qytetarëve të Kosovës duhet t’u themi se kjo nuk është reformë e thellë zgjedhore politike, mirëpo kjo reformë i ka përfillë 95% rekomandimet dhe sugjerimet e Unionit Evropian, Ambasadës Amerikane, organizatave joqeveritare dhe akterëve tjerë.
Po e përmbylli, duke u dhënë një vlerësim publik deputetit Abelard Tahiri, anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të të gjitha partive, të gjitha organizatave që kanë qëndruar gjatë gjithë kohës aty duke debatuar. Në të njëjtën kohë, duke dhënë vlerësim publik për kolegun, Muharrem Nitaj, që e ka përfaqësuar AAK-në në këtë grup. Andaj ne e mbështesim këtë ndryshim në Ligjin Zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studentët e “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicën e Kosovës” dhe…