Ligjvënësit sabotojnë qëllimisht projektligjet ekonomike

04 mars 2019 | 10:56

Një mori projektligjesh të çështjeve ekonomike vazhdojnë të sabotohen në seancat plenare të Kuvendit duke mos hyrë në votim. Përfaqësues të organizatës “Konsumatori” dhe të Odës së Afarizmit kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se neglizhimi i projektligjeve dhe çështjeve ekonomike nga ana e ligjvënësve është i qëllimshëm. Kurse Artan Murati nga KDI-ja ka pohuar se duhet të merren masa ndëshkuese për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca.

Albulena S. MAVRAJ

Ndonëse në seancën e 28 shkurtit ishte paraparë të shqyrtoheshin 12 projektligje, vetëm dy prej tyre arritën ta marrin dritën jeshile. Sa iu përket projektligjeve të fushës së ekonomisë në rend të ditës ishin: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligjit për miniera dhe minerale, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale, si dhe votimi i raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. Këto projektligje nuk arritën t’i nënshtrohen votimit në mungesë të kuorumit.

Lidhur me këtë kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ligjvënësit, edhe përkundër që e kanë gojën me agjendën ekonomike, po tregojnë të kundërtën.

Sipas tij, shteti është duke i ngarkuar taksapaguesit e sektorit privat për të përmbushur hendekun buxhetor, njëkohësisht është duke e çuar vendin në katastrofë ekonomike.

“Pavarësisht prej deklaratave të të gjitha institucioneve qeveritare, duke filluar nga presidenti, se agjenda ekonomike do të jetë prioritet, po rezulton e kundërta. Asnjë qeveri deri më tani nuk e kishte prioritet kryesor zhvillimin e vendit. Vetë fakti që nga 1.2 milion qytetarë janë në moshë pune, 350 000 apo vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të punësuar dhe nga 600 000 femra në moshë pune, janë të punësuara vetëm 12 për qind apo 88 për qind janë të papuna. Kjo tregon realitetin e rëndë në të cilin jemi”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se me vendimin për rritje të pagave në sektorin publik është dëmtuar rëndë mirëqenia e taksapaguesve te sektori privat që, sipas tij, është vepruar për interesa klanore dhe elektorale.

“Me këto veprime janë duke e dërguar shtetin në katastrofë ekonomike. Shteti, duke mos pasur zhvillim, ka vendosur në kontinuitet taksa të ndryshme, të cilat në shikim nuk duken shumë, por që e rëndojnë buxhetin e qytetarëve çdo ditë e më shumë. Kur jemi te Projektligji për automjetet, nëse një sigurim është i paguar ai duhet të bartet, pasi pagesa për atë kohë është bërë dhe s’ka nevojë të bëhet dy herë. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve që të paguhet dy apo tri herë për të njëjtën punë. Kemi edhe taksën e ujitë që është e dyfishtë. Është e palogjikshme që Kosova të jetë i vetmi vend në Evropë që e kushtëzon vjetërsinë, ndërkohë që jemi vendi më i varfër në Evropë. Do të duhej që standardet e makinës të shikohen kur makina del në qarkullim, si dhe çështjen e filtrimit të gazrave dhe jo vjetërsinë”, u shpreh ai.

Safete Hadergjonaj, zëvendëskryetare e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, si dhe deputete nga radhët e PDK-së, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, edhe pse bëhet punë e jashtëzakonshme në këtë komision, mospjesëmarrja pjesë e deputetëve në seanca po zvarrit agjendën ekonomike.

“Mund të themi se vëmendje u kushtohet projektligjeve për çështje ekonomike, sepse është bërë një punë e jashtëzakonshme në Komisionin për Buxhet dhe Financa në lidhje me reformën që ka marrë Qeveria, respektivisht Ministria e Financave sa i përket politikës fiskale, por e keqja është se nuk po mobilizohemi sa duhet në seanca plenare për t’i siguruar numrat”, ka thënë

Hadergjonaj, duke shtuar se edhe opozita duhet të jetë korrekte dhe të marrë pjesë në votim kur është në pyetje interesi i qytetarëve. “Mendoj se pozitë dhe opozitë duhet të jenë korrekte në këtë drejtim, duke e ditur se është interes i vendit dhe i qytetarëve që të votohen këto ligje. Në ditët që mbahen seancat është obligim i grupeve parlamentare që të mobilizohen për pjesëmarrje të deputetëve në seanca”, ka deklaruar Hadergjonaj.

Ajo ka thënë se janë pro Ligjit për Automjete pasi është kërkesë e qytetarëve.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar për gazetën “Epoka e re” se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke e shpërfillur punën e tyre.

“Jo vetëm ligjet që kanë karakter ekonomik, por të gjitha ligjet e tjera janë duke pasur problem që të miratohen, e sidomos të monitorohen në zbatim, pasi Kuvendi s’ka munduar ta kryejë punën karshi agjendës legjislative. Në qeverisjen e kaluar Kuvendi ka miratuar 75 ligje, që është numër i lartë nëse krahasohet me vitet parapake, por prapëseprapë s’kishte debat të mirëfilltë dhe kishte procedura të zvarritura”, u shpreh ai.

Murati ka bërë me dije se janë edhe 51 projektligje që presin të hyjnë në votim. “Ka një numër të projektligjeve që janë në shqyrtim e sipër nëpër komisione. Për momentin janë 51 projektligje që janë në procedurë, por edhe kur po hyjnë në procedurë për seancë plenare projektligjet shpesh po mbeten të papërfunduara dhe po zvarriten deri në miratimin e tyre për shkak të mosefikasitetit të punës së deputetëve dhe pamundësisë për vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit që është një ndër problemet kryesore të kësaj legjislature”, u shpreh ai.
Murati ka thënë se duhet të zbatohen masa disiplinuese ndaj deputetëve që nuk marrin pjesë në seanca.

“Së pari duhet për t’u garantuar shumica parlamentare, pasi s’ka numra të mjaftueshëm për t’i kaluar ligjet. Edhe kur votohen projektligjet me subjektet opozitare shpeshherë ka kushtëzime, pra shumica parlamentare duhet të ndërmarrë veprime. Përveç bojkotit, shpeshherë të opozitës, që është bojkot i ligjshëm, sepse opozitën nuk mund ta detyrosh ta bëjë kuorumin, prapë nuk ka vota të mjaftueshme për të kaluar një numër të konsiderueshëm projektligjesh. Me rregulloren e re ishte dashur që kodi i etikës t’i parashohë masat ndëshkuese, përveç këtyre aktuale që janë”, ka thënë Murati.

Ndërkaq sa i përket agjendës ekonomike, sipas tij, janë në pritje nga Qeveria që të shkojnë në Kuvend: Plotësim dryshimi i Ligjit për Zonat Ekonomike, Projektligji për Turizëm, Projektligji për Ndërmarrjet Publike, Projektligji për Masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe shërbimet e besuara lidhur me transaksionet elektronike. “Këto projektligje pritet të shkojnë në Kuvend, ashtu siç janë paraparë në agjendën legjislative”, ka thënë Murati.

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se neglizhimi i projektligjeve dhe çështjeve ekonomike nga ana e ligjvënësve është i qëllimshëm.

“Për qytetarët taksapagues situata aktuale është shumë e dhimbshme, pasi padrejtësitë më të mëdha po bëhen nga partitë politike. Padrejtësitë e tyre ndaj qytetarëve taksapagues dëshmohen me sjelljet e tyre në Kuvend, Qeveri dhe në ministri. S’e di qysh kanë fytyrë të kërkojnë vota dhe taksa prej neve. Konsumatori taksapagues është gjeneruesi kryesor i shtetit. Partitë qëllimisht i sabotojnë ato ligje qe u konvenojnë atyre, por jo ato që i konvenojnë qytetarit taksapagues”, u shpreh Kaçaniku për gazetën “Epoka e re”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se…