Limaj në Gjakovë: Kosovën kurrë nuk do ta mbrojë vetëm një njeri, e mbrojmë bashkë

29 shtator 2019 | 20:44

Në vazhdën e tubimeve elektorale, Nisma Socialdemokrate ka takuar strukturat, simpatizantë dhe qytetarë të shumtë në Gjakovë, nga ku kandidati për kryeministër Fatmir Limaj ka theksuar nevojën që të bëhen bashkë, pasi sipas tij Kosovën, kurrë asnjëherë nuk mund të mbrojë vetëm një njeri.

“Kosovën kurrë, askush nuk ka me mbrojt vetëm një njeri, ne e mbrojmë bashkë. Asnjëherë Kosova nuk është zhvilluar vetëm me një njeri. Thirrja që veç me mua kryhen krejt është mashtruese”, ka thënë ai.

Limaj sërish ka theksuar nevojen që pavarësisht dallimeve me partitë politike, ata nuk duhet të t’i shohin si armiq, teksa kërkoi debat me kundërkandidatët e tij për kryeministër.

“Rrafsh që nja 20 ditë jam duke i thirrur hajdeni burra e gra dalim para qytetarëve, dalim në debat atje dhe u tregojmë njerëzve çka ofrojmë ne. Ejani dalim në debat bashkë. Dil tregoj qytetarit të Kosovës qysh ia zgjidh problemet, mos u fshih pas partisë, ne kemi shumë pyetje me iu bërë, ju mua, ata mua dhe unë atyre, ejani dalim kush jemi”, ka thënë Limaj.

Kandidati për kryeministër nga Nisma teksa shpalosi detaje nga programi qeverisës së tij, ka thënë se duhet të bëhen të gjithë bashkë për zhvillim ekonomik, drejtësi, skema pensionale të mirëfillta dhe për të rinjtë.

Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Gjakovë, njëherësh kandidati për deputet, Fazli Hoxha ka thënë se skenës politike në Kosovë i ka munguar një lider unifikues si Fatmir Limaj. 

“Lideri ynë është treguar unifikues në skenën politike. I ka munguar skenës politike një lider, i cili ofron gjithë spektrin politik, pozitë e opozitë. Një lider që asnjë herë nuk e ka prioritet veten, strukturën partiake, por gjithmonë është në ballë të interesave të shtetit”, ka thënë Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ramë…