Limaj përsëri del kundër ndryshimit të kufijve

04 gusht 2018 | 11:07

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të ketë kujdes me deklaratat e tij rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe bashkimin me Luginën e Preshevës.
Limaj në një intervistë për “Ekonomia Online”, i ka kërkuar Thaçit që të mos e humbasë edhe më shumë besueshmërinë dhe kredibilitetin e institucioneve të Kosovës.

“Unë jam kundër deklarimeve që po i shoh, që kanë tendenca dhe këto deklarime prishin unitetin dhe zbehin besimin dhe kredibilitetin. Apeli jem është edhe presidentit, kujdes, mos e humb kredibilitetin, mos e zbeh edhe më shumë besueshmërinë dhe kredibilitetin e institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Limaj.

Presidenti Thaçi ka thënë se është e pranueshme dhe realizueshme kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën dhe se kjo, sipas tij, mund të bëhet në procesin e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, në anën tjetër kreu i shtetit mohoni mundësinë që ndarja e Kosovës të diskutohet me Beogradin në Bruksel.

Por zëvendëskryeministri Limaj, që dikur e kishte shef partie Thaçin, vlerëson se deklarata të tilla kundërthënëse e të dëmshme bëhen me tendencë për të krijuar opinione të ndryshme.

Ai ka ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe partive politike që të kenë kujdes në deklarata, duke i quajtur ato të panevojshme e që nuk guxojnë të bëhen nga institucionet shtetërore.

“Deklaratat të cilat bien ndesh dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën, në mëngjes të thuash ndryshe kurse në mbrëmje ndryshe, janë të dëmshme për vendin. Qytetarët e Kosovës po e kuptojnë çka po flitet dhe ftesa ime është për të gjithë, kujdes nga deklaratat që e dëmtojnë vendin. Nuk krijohen opinione, nëse ka tendencë për të krijuar opinion, të tilla nuk krijohen”, ka theksuar ai.

“Askush s’ka të drejtë të nxjerrë këso deklaratash, aq më tepër drejtues të institucioneve, përderisa ky vend e ka një kushtetutë, një Parlament, derisa ky vend funksionon mbi bazën e një rregulli kushtetues si shtet i pavarur. Ftesa ime përsëri është, kujdes. Tendenca për të krijuar një opinion, paraprakisht është tendencë e gabuar”, ka shtuar Limaj.

“Mua nuk po më pëlqejnë këto deklarime, këto mënyra që janë në kundërthënie me njëra-tjetrën, herë flasin për shkëmbime, herë s’ka ndarje, gjëra krejt të panevojshme, aq më tepër nuk guxojnë të bëhen nga institucionet shtetërore”, është shprehur tutje ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para pak minutash ka përfunduar në Beograd takimi i Këshilli…