Limaj u del zot prodhuesve vendor, paralajmëron reciprocitet me vendet fqinje

05 shkurt 2018 | 15:31

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se Qeveria është e interesuar që ekonomia e vendit tonë të kalojë në një stad tjetër të zhvillimit.

Në tryezën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve, zëvendëskryeministri Limaj ka thënë të hënën se është duke u bërë një transformim ligjor që mbulon fushën e ekonomisë.

Prodhuesit kosovarë, Limaj thotë se kanë qenë të ekspozuar pabarabartë dhe jo fer nga konkurrenca jolojale dhe me vështirësi kanë mbijetuar.

“Ne si Qeveri kemi marrë këshillat e dhomave tregtare dhe organizatave dhe kemi nis të bëjmë disa hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturë ligjore dhe hapave tjera ku konkurrenca do të jetë fer dhe e barabartë për të gjithë. Ajo qe ne besojmë është se Qeveria e Kosovës me kujdes do t’i trajtojë këto kërkesa që i keni bërë dhe ne do t’i përgjigjemi nevojave e kërkesave tuaja të cilat në fakt janë nevoja të qytetarëve të dy shteteve. Një treg ku nuk ka barriera dhe pengesa në qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve është në të mirën e përgjithshme. Një treg ku mbi 5 milionë ka qasje si në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë Limaj ndër të tjera në këtë tryezë.

Më tutje, zëvendëskryeministri Limaj ka paralajmëruar reciprocitet në fushën e ekonomisë me vendet fqinjë.

“Nuk munden prodhuesit kosovarë të trajtohen siç janë trajtuar me herët. Jemi për treg të lirë dhe respektim të obligimeve ndërkombëtare, por nuk do të lejojmë që prodhuesit tanë të trajtohen pabarabarisht nga vendet fqinje. Kjo qasje do të ndryshoj në Kosovë. Prodhuesi i Kosovës nuk do të jetë më jetim. Reciprocitet të plotë do të ketë”, ka shtuar zëvendëskryeministri Limaj.

Fotografia e NISMA Socialdemokrate

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vërejtje: Për hir të korrektësisë e informojmë lexuesin se në…