Linja hekurudhore Durrës – Prishtinë, PDK-ja pati një propozim shtesë

21 korrik 2022 | 16:05

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar që bashkë me linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë, Kosova të lidhet edhe me fibra optik dhe me tubin e gazit amerikan në Shqipëri.

Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për Projektligjin Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, ka thënë se pas Rrugës së Kombit, të bërë nga qeveria Thaçi, PDK-ja i gëzohet këtij projekti të dytë infrastrukturor që lidh Kosovën, shtetin më të ri të Evropës me shtetin amë, Shqipërinë, por ka kërkuar nga qeveria që t’i marrë hapat e nevojshëm për studimin e fizibilitetit dhe të mos ngutet.

“Ju lus edhe profesionalisht, edhe shkencëtarisht, edhe politikisht ta bëni një aneks dhe ta fusni studimin e fizibilitetit të trasesë së gazit të lëngshëm amerikan apo shqiptaro-shqiptar, që do të na lidhë me Shqipërinë dhe ta kemi infrastrukturën për një trase të mundshme të gazit”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se qeveria të hartoj edhe një aneks marrëveshje për lidhje me fibra optik.

“Kryeministër duhet ta kemi edhe një infrastrukturë tjetër të fibrave optike, të lidhim një aneks marrëveshje me Shqipërinë dhe të bëjmë një studim për fibrat, që Qeveria e Kosovës dhe populli i Kosovës, në të gjithë dimensionin teknik dhe teknologjik të lidhet me Shqipërinë. E kemi shans të fundit për të mos i bërë tri projekte të ndara”, ka theksuar deputeti i PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancë e sotme të Kuvendit, ministrja e Ekonomisë, Artane…