Liria si emër kuptimi!

18 nëntor 2020 | 11:07

Shkruan: Melihate Tërmkolli

Liria është vlerë. E të gjithëve.

Liria ka emër kuptimi. Kuptimi i lirisë është vlera e saj për të gjithë.

Liria është e vërteta! Mashtrimi e gënjeshtra nuk e bëjnë dot lirinë. Lirinë e paqen nuk ditëm a nuk dashtëm ta ndërtojmë.

Liria është jetë! Nuk e ka kuptimin e saj, liria, në vendin në të cilin shumica e njerëzve luftojnë për ekzistencë, për jetesë e mbijetesë. Liria është zhvillim e begati.

Liria është dije! Dhe krijim i mundësive për të vënë në funksion dijen dhe aftësitë e individit për zhvillim e përparim. Liria nuk ka kuptimin e saj aty ku dija “mashtrohet” me letra boshe.

Liria është dinjitet! Dinjitet individual njerëzor, dinjitet kombëtar, dinjitet shtetëror. Në vendin ku dinjiteti matet me masën e grabitjes së shtetit e popullit, liria nuk e ka kuptimin e saj. Dinjiteti nuk është post politik a shtetëror, as pasurim i paligjshëm, as fuqia që të japin këto të dyja. Është zotërim dhe respektim i vlerave njerëzore individuale e kombëtare. Është autoritet jo autoritar.

Liria është dashuri! Në vendin ku dashuria në masë të madhe është shfaqje e shpërfytyruar kozmetike, liria nuk e ka kuptimin e saj. Liria nuk është mundësi për fyerje, denigrim, poshtërim, akuza e ofendime me njëri tjetrin, deri në copëtim.
Liria është mendje e shpirt i lirë!

Liria nuk ka kuptimin e saj në vendin ku sundimtari/ët rrënojnë e rrëmojnë shpirtin e tjerëve, e kontrollojnë jetën e tjerëve me tendencën për të kontrolluar edhe mendjen e tyre.

Liria është Besim! Nuk e ka kuptimin e saj liria, në vendin nga i cili ikin qytetarët e vet, të kamur e të pakamur. Në vendin të cilin qytetarët nuk e ndiejnë vend të vetin, liria nuk e ka kuptimin e saj.

Liria është drejtësi! Është respektim i ligjit e rendit. Në vendin ku individi- i forti është mbi ligjin e mbi shtetin, liria nuk e ka kuptimin e saj.
Liria është personale e kombëtare por personalizimi ose “privatizimi” i saj, është uzurpim i lirisë.
Emri i vërtetë i lirisë është liria e vërtetë.
Kuptimin ia japim ne, me punë, me vepra!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.…