Lirohet Nasim Haradinaj

14 dhjetor 2023 | 13:16

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të modifikojë dënimin e Nasim Haradinaj për lirimin e tij sot, sipas kushteve të përcaktuara në vendim.

Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.

Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me Haradinaj.

Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të Haradinajt, kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e Haradinaj në objektin e paraburgimit.

Kryetarja Trendafilova mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.

Konkretisht, Trendafilova konstatoi se Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit.

Gjithashtu, kryetarja Trendafilova mori parasysh pendesën e Haradinajt dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij.

Trendafilova theksoi se në qoftë se Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Stefano Pioli pas eliminim nga Liga e Kampionëve ka…