Lista Serbe kërkon takim urgjent me Vuçiqin, kjo është arsyeja

26 tetor 2022 | 11:34

Serbët në veri të Kosovës kanë kërkuar një takim urgjent me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajmi është bërë me dije nga Lista Serbe, e cila ka theksuar se në këtë takim pritet të diskutohet për  kërkesën e Qeverisë së Kosovës që targat e automjeteve serbe të kthehen në targa legale të Kosovës.

Në njoftimin e Listës Serbe është thënë se në emër të popullit serb në Kosovë kërkohet një takim urgjent me presidentin serb.

“Njoftimet për veprime të dhunshme ndaj popullit tonë nga Albin Kurti, sidomos në veri të Kosovës, ngjallin frikë dhe pasiguri dhe është e nevojshëm që urgjentisht të takohemi dhe të pajtohemi se si të ruhet qetësia dhe siguria e qytetarëve, që është jetike në popullin tonë. I gjithë populli ynë nuk pajtohet me lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, që synojnë të persekutojnë çdo gjë serbe”, ka njoftuar Lista Serbe.

Sipas kësaj liste, deklaratat e kryeministrit Kurti tregojnë se në Prishtinë nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje kompromisi.

“Por vetëm dëshirë për të shkaktuar krizë dhe tension, sidomos në veri. Populli serb në Kosovë i beson vendit të tyre Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq dhe ne do t’i përgjigjemi së bashku të gjitha sfidave që na presin”, ka njoftuar Lista Serbe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën e parë…