Kurti: ATK-ja ka përmirësuar inkasimin e të hyrave

26 tetor 2022 | 11:34

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën e parë Rajonale për Përmirësimin e Menaxhimit të Borxhit Tatimor, organizuar në Kosovë nga CEF Qendra e Ekselencës Financiare, Slloveni, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Administratën Tatimore tё Kosovës dhe Administratën Tatimore tё Holandës.

Kryeministri Kurti teksa shprehu kënaqësinë që sot ishte i pranishëm në këtë punëtori, tha se fakti që këto institucione të respektuara ndërkombëtare po e konsiderojnë Administratën Tatimore të Kosovës si rast studimor për të mirë, tregon për përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin në rritje të këtij institucioni.

Duke folur për sukseset e Administratës Tatimore të Kosovës, kryeministri theksoi se ky institucion ka përmirësuar inkasimin e të hyrave dhe se vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime, që paraqesin të hyra rekord.

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 95.8 milionë euro apo 21.4 për qind. Ndërsa, në krahasim me planin tonë kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro apo 6.7 për qind”, ka thënë kryeministri.

Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përmendi edhe Konsolidimin e Funksionit të Mbledhjes së Borxheve, si një ndër reformat më kryesore, e cila ka ngritur thelbësisht cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore.

Kjo performancë pozitive, shtoi më tej ai, është rezultat i rritjes së disiplinës në administratën tatimore dhe i numrit të inspektimeve në njërën anë dhe i rritjes së moralit tatimor apo motivit për të paguar taksa nga ana e qytetarëve, në anën tjetër.

“Kur qytetarët dhe bizneset e shohin se institucionet nuk janë të korruptuara dhe nuk po keqpërdorin dhe po e ruajnë paranë publike, e shpenzojnë me kujdes dhe plan e me llogaridhënie, ata janë më të gatshëm që të paguajnë taksat, të bindur se ato pastaj do të përdoren për të mirën publike nëpërmjet shërbimeve publike”, ka thënë Kurti.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka ndarë të mërkurën mbi 4 milionë…