Lituania dëbon dy diplomatë bjellorusë

28 maj 17:19

Lituania ka bërë me dije se do të dëbojë dy diplomatë bjellorusë, të cilët është duke i akuzuar për kryerje të aktiviteteve “që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik”.

Ky njoftim nga Lituania vjen në kohën e rritjes së tensioneve, pasi Bjellorusia devijoi fluturimin e një avioni për në Minsk, i cili ishte nisur drejt Lituanisë. Më pas, autoritetet bjelloruse arrestuan një gazetar.

Dy pjesëtarëve të stafit të Ambasadës bjelloruse në Vilnius u është dhënë shtatë ditë afat që të largohen nga Lituania, tha Ministria e Jashtme më 28 maj.

Ministri i Jashtëm i Litanisë, Gabrielius Landsbergis, ka thënë se ky vendim gjithashtu është një “shprehje e solidaritetit” me Letoninë, ku i gjithë stafi i ambasadës së saj është dëbuar nga Bjellorusia.

Minsku ka dëbuar diplomatët letonezë, pasi flamuri i Bjellorusisë ishte hequr gjatë kampionatit botërorë të hokejit, që u mbajt në Riga dhe ishte zëvendësuar me flamurin që po përdor opozita bjelloruse.

Më 23 maj, autoritetet bjelloruse detyruan fluturimin e kompanisë “Ryanair” që të ateronte në Minsk dhe më pas arrestuan gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich së bashku me të dashurën e tij, Sofia Sapega. Ky avion ishte nisur nga Greqia për në Lituani.

Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Bjellorusisë në përgjigje të devijimit të fluturimit dhe arrestimit të gazetarit bjellorus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një lajm i bujshëm vjen nga Amerika Latine, ku James…