Lladrovci ndërpret dy kontrata për mospërmbushje të obligimeve ligjore

28 qershor 2018 | 18:11

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që nga marrja e mandatit është zotuar se do të mbrojë pronën komunale.

Në këtë kontekst, ai të enjten ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave për personin fizik, Naser M. Gashi dhe personin juridik NTP “Mali-Com” për shkak të mospërmbushjes së kontratave të lidhura me Komunën e Drenasit.

“Më datën 30.03.2018, kryetari Lladrovci ka marrë vendim për formimin e komisionit mbi vlerësimin e zbatushmërisë së procedurave ligjore për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim dhe përmbushjes së obligimeve kontraktuese, ndërsa më datën 08.06.2018 ky komision ka ofruar raportin për këto kontrata. Ndërprerja e kontratës me numër 353-46310 të datës 23.10.2014 dhe numri i kontratës 353-46330 i datës 23.10.2014, janë bërë në bazë të vlerësimit të këtij raporti të Komisionit me numër 01-464-32760 i datës 08.06.201”, është thënë në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Sipas planit dinamik tek të dy qiramarrësit të pronës komunale, kanë qenë të obliguar që objektin ta përfundojnë brenda 18 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës, mirëpo qiramarrësit nuk i kanë përmbushur obligimet e kontratës së nënshkruar.

Sipas njoftimit të komunës, qiramarrësit nuk i kanë përmbushur as obligimet për punësimin e nëntë punëtorëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Skenderajt ka mbajtur dëgjim publik për kornizën afatmesme…