Llapi fiton në Drenas

16 shtator 2023 | 19:21

Llapi ka fituar bindshëm në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të shtunën në Drenas, në udhëtim te Feronikeli ’74. Llapi fitoi me rezultatin 3:0.

Ndeshja ishte dramatike në fundin e pjesës së parë. Penalltinë e parë të Muhamet Hysenit të Llapit e priti me sukses Amrush Bytyqi, portieri i Feronikelit ’74, në minutën e parë të shtesës.

Ndeshja vazhdoi, por gjyqtari e përsëriti atë pas rishikimit të situatës në VAR, për shkak se portieri Bytyqi nuk kishte qëndruar në vijën e portës, në momentin kur është goditur topi nga sulmuesi i Llapit. Hyseni më pas në minutën e katërt të shtesës shënoi për 1:0, në krahun e kundërt nga tentimi i parë.

Ergyn Ahmeti realizoi supergol në minutën e 49-të pas harkimit të Jose Cobianit, kurse Trimror Selimi, nuk gaboi i vetëm përballë portierit kundërshtar në minutën e 67-të për 3:0.

Llapi me fitore tani ka 10 pikë në pesë ndeshje të luajtura, kurse Feronikeli ’74, që pësoi disfatën e katërt të edicionit, mbetet me vetëm tri pikë.

Feronikeli ’74 në xhiron e ardhshme luan në Prizren te Liria, ndërsa Llapi e pret Gjilanin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjilani ka shënuar fitoren e parë të këtij edicioni në…